7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

Apeli ua ul dënimin për tetë muaj ish-deputetëve Haxhi Shala e Ismajl Kurteshi, në rastin e gazit lotsjellës

Gjykata e Apelit, ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ia ulur dënimin me kusht për 8 muaj ish-deputetëve Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të cilët akuzoheshin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në nëntor të 2015-ës.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se Gjykata e Apelit, ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket dënimit me burg.

Sipas vendimit të Apelit, Shalës e Kurteshit i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve (secilin veç e veç), i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 1 viti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 31 dhjetor 2021 kishte shpallur fajtor ish-deputetët Shala e Kurteshi, duke i dënuar me nga një vit burgim me kusht (secilin veç e veç), i cili dënim nuk të ekzekutohej nëse brenda periudhës prej 2 viteve të njëjtit nuk kryenin vepër tjetër penale.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë kishin ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Kurteshi avokatja Teuta Zhinipotoku dhe mbrojtësi i të akuzuarit Shala avokati Naser Sopjani për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Avokatja Zhinipotoku i kishte propozuar Apelit që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet ashtu që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza ose çështja të kthehet në rivendosje.

Edhe avokati Sopjani kishte propozuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Prokurori i Apelit, kishte propozuar që të refuzohen si të pa bazuara ankesat e mbrojtësve Zhinipotoku e Sopjani ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Mirëpo, Apeli ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtësve sa i përket një dënimi më të butë janë pjesërisht të bazuara.

Në vendim thuhet se, gjykata e shkallës së parë, me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit nuk i ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese konform nenit 69-70 të KPRK-së.

“Andaj, duke pasur parasysh rrethanat e konstatuara dhe të vlerësuara nga ana e gjykatës së shkallës së parë, del se kjo gjykatë ka vend për shqiptimin e një dënimi më të butë, si në dispozitivin e këtij aktgjykimi, me bindje se tani dënimi është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në vendim po ashtu thuhet se, sipas vlerësimit të Apelit aktgjykimi i kundërshtuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale qofshin ato që pretendohen në ankesë apo qofshin ato të gjykata e shkallës së dytë detyrimisht i vëren.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është i qartë dhe në atë janë përshrkuar në mënyrë të qartë veprimet inkriminuese të të akuzuarve, veprime këto që paraqesin tiparet e veprës penale për të cilat janë shpallur fajtor.

Tutje, në këtë vendim thuhet se, kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtësve për shkak të shkeljeve të ligjit penal janë të pabazuara, pasi që sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë është mjaftë i qartë dhe drejtë ka vendosur pa kundërthënie me vetveten dhe me faktet e cekura në arsyetim.

Sa i përket gjendjes faktike Apeli ka gjetur dhe ka vërtetuar se në mënyrë të drejtë dhe të plotë është vërtetuar nga gjykata e shkallës së parë.

Ndryshe, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por tani lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi.

Ndërsa, lidhur me veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” është arritur parashkrimi, andaj për këtë është refuzuar aktakuza për pikën 2 dhe 3, konform nenit 363, par.1, nenpar.1.3 të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se më 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

Sipas aktakuzës, derisa kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.

Për këto veprime, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshme” nga neni 375, par.1 të KPRK-së.

Kurteshi dhe Shala akuzoheshin edhe se kishin penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht pjesëtarët e Policisë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohej se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.

Kurse, Kurteshi akuzohej se në seancën e 30 nëntorit 2015, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit duke pamundësuar mbajtjen e seancës.

Për këto veprime, Kurteshi dhe Shala akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, par.1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img