Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin për vrasjen e Marigona Osmanit.

Vendimi është bërë i ditur me një njoftim për media.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin PAKR.nr.677/23, të datës 11.01.2024, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ankesat e mbrojtësve të akuzuarve D.K, av.Admir Salihu dhe A.S, av.Arbnora Shefkiu, av.Avni Ibrahimi edhe sipas detyrës zyrtare, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2022:132923 të datës 04.08.2023, ashtu që çështja penale i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim. Në pikën II të dispozitivit të aktvendimit, kjo gjykatë pretendimet ankimore të prokurorisë dhe ato të mbrojtësve për bazat e tjera ankimore si dhe të përfaqësuesit të palës se dëmtuar, i ka konsideruar tani për tani si jo lëndore, ndërsa në pikën III të dispozitivit të aktvendimit, ka konstatuar se të akuzuarit, D.K dhe A.S, të mbeten në paraburgim, deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

“Gjykata e Apelit, me aktvendimin PAKR.nr.677/23, të datës 11.01.2024, ka aprovuar, ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ankesat e mbrojtësve të akuzuarve D.K, av.Admir Salihu dhe A.S, av.Arbnora Shefkiu, av.Avni Ibrahimi edhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2022:132923, të datës 04.08.2023, e ka anuluar ashtu që çështja penale i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhet më tutje.

Por, mbi cilat arsye u kthye rasti në rigjykim?

“Në arsyetim të aktvendimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se pretendimet e prokurorisë dhe të mbrojtëseve lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave procedurale qëndrojnë, ashtu që ekzistojnë shkelje të dispozitave nga neni 384 paragrafi 2.7, lidhur me nenin 369 paragrafi 6 dhe 7 të KPP, si dhe shkelje të dispozitës së nenit 384 paragrafi 2.1, lidhur me nenin 361 paragrafi 2 të KPP, të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit të ankimuar. Kolegji i Gjykatës së Apelit ka gjetur se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale konsistojnë në faktin se dispozitivi I dhe II i aktgjykimit të ankimuar është i pa qartë, i pa kuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore të cilët formojnë elementet e veprave penale për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtor, për arsye se dispozita ligjore nga nenit 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 i KPRK, për të akuzuarin e parë i referohet privimit nga jeta të personit tjetër në mënyrë mizore apo dinake dhe jo për motive xhelozie, ndërsa përkitazi me pikën 1.4 të nenit 173 të KPRK, kolegji gjykues i shkallës së dytë ka theksuar se një rrethanë e tillë duhet të vërtetohet nga ekspertet e fushës përkatëse, e që në rastin konkret nuk është bërë nga ana e gjykatës së shkallës së parë”, ka shkruar Gjykata e Apelit.

“Sa i përket të akuzuarit të dytë A.S, gjykata e apelit ka vlerësuar se, në raport me veprën penale nuk janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete nëse veprimet e të akuzuari janë në pajtueshmëri me tiparet e veprës penale për të cilën i njëjti është shpallur fajtor. Mbi bazën e të lartcekurave kolegji i shkallës së dytë, ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale, aktgjykimi i atakuar përmban shkelje esenciale nga dispozitat e procedurës penale, pasi që mungojnë arsyet për faktet vendimtare të cilat janë thelbësore për vërtetimin e përgjegjësisë penale të akuzuarve, për çka gjykata e shkallë së dytë ka dhënë udhëzimet konkretet të cilat do të duhet të eliminohen në fazën e rigjykimit, nga gjykata e shkallës se parë”, thuhet në komunikatë.