Gjykata e Apelit e ka prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte hudhur si e palejuar padia për shpifje dhe fyerje e ish-kryeshefit të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi ndaj anëtarit të KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, duke e kthyer kështu çështjen në rivendosje.
Me aktvendimin e 1 korrikut 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte hudhur si të palejuar padinë e paditësit Halimi kundër të paditurit Kurteshi, me anë të së cilës kishte kërkuar shumën prej 25 mijë euro, në emër të shpifjes dhe fyerjes.
Ndaj këtij vendimi, ankesë kishte ushtruar paditësi Halimi, e të cilën e aprovoi si të themeltë Apeli dhe me vendimin e 30 majit 2023, e ktheu çështjen në rivendosje.
“Aprovohet si e themeltë ankesa e paditësit Enis Halimi nga Prishtina, prishet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti i Përgjithshëm i datës 1 korrik 2021 dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rishqyrtim dhe rivendosje”, thuhet në aktvendimin e Apelit.
Padia është ushtruar në janar të 2020-ës, ku paditësi Halimi pretendon se Kurteshi ka nxjerrë të dhëna të pavërteta, është shpifur dhe fyer si dhe i është dëmtuar rëndë nderi dhe autoriteti atij, duke kërkuar nga i padituri kompensimin e dëmit material dhe jomaterial në shumën prej 25 mijë euro.
Në aktvendim e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Apeli ka vlerësuar se qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktvendimi i atakuar është përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182, paragrafi 1 i LPK-së, lidhur me nenin 5.4 të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes sipas të cilës përcaktohet se: “Autoritet publike ndalohen nga paraqitja e kërkesës për kompensim për dëmin e shkaktuar nga shpifja dhe fyerja. Zyrtarët publik mund të paraqesin kërkesë për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga shpifja dhe fyerja privatisht dhe ekskluzivisht në kapacitetin e tyre personal”.
Në vendim, thuhet se gjykata e shkallës së parë e ka interpretuar dhe zbatuar gabimisht dispozitën ligjore të lartcekur, pasi që në rastin konkret nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ta hedhur si të palejuar padinë e paditësit në mungesë të bazës ligjore.
Tutje, thuhet se rrjedhimisht gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vendosur që padinë e paditësit ta hudh si të palejuar për shkak të mungesës së bazës ligjore.
Në fund të këtij aktvendimi, Apeli ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që t’i eliminojë shkeljet e sipërtheksuara, në mënyrë që të plotësohen kushtet procedurale për mbajtjen e gjykimit dhe të nxjerrë një vendim të drejtë dhe të plotë duke u bazuar në gjendjen faktike të vërtetuar.
Tutje, thuhet se bazuar në shkresat e lëndës paditësi kishte ushtruar padinë për shpifje dhe fyerje në cilësinë e personit fizik-kapacitetin e tij personal kundër të paditurit, gjë të cilën e mundëson dispozita ligjore dhe nuk e kishte ushtruar padinë në kapacitetin e zyrtarit publik apo në emër të institucionit të cilin ai përfaqëson.
Ndryshe, paditësi Enis Halimi në këtë çështje është përfaqësuar nga përfaqësuesi i autorizuar, Leutrim Syla, i cili në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, tha se nga vendimi i Gjykatës së Apelit shihet se rastin e shpifjes e ka interpretuar ndryshe nga Themelorja.
“Prej vendimit të Gjykatës së Apelit shihet që gjykata e ka bërë një diferencim në rastin e shpifjes, ku njëfarë mënyre e ka interpretu ndryshe prej Gjykatës Themeloren Prishtinë, ku Gjykata Themelore fillimisht e ka interpretu që personi civil, i cili ka punuar në institucion publik nuk ka të drejtë me paraqit padi për shpifje, për shkak se mundet me u konsideru si padi në institucion publik. Po ligji është i qartë, kur personat e tillë padinë e paraqesin kapacitetin personal edhe individual… për padi të tilla, e që rasti i moskalimit është i tillë, pasi që ai padinë e ka paraqit vetëm për shpifje që është bë ndaj tij domethënë individualisht edhe personalisht”, tha Syla.
Ai shtoi se statusi në Facebook, tregon se i padituri Kurteshi kur e ka bërë shpifjen e pretenduar, ndërsa theksoi se seanca nuk është caktuar ende.
“Seanca hala nuk është caktu, për shkak se ka pas domethënë shprehje të ndryshme të cilat i kemi cilësu na si shpifje dhe fyerje. Kryesorja në lidhje me rastin është që shpifja është bë ndaj personit, jo ndaj institucionit edhe përderisa e ka hudh poshtë si te palejume Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit e ka konsideru si të kundërligjshme edhe e ka prish e ka kthy në rigjykim edhe në njëfarë mënyre e ka deponuar çështjen tek a është padia e drejtume ndaj institucionit të avokatit”, tha Syla.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një koment edhe nga vetë Kurteshi lidhur me këtë rast, por i njëjti nuk është përgjigjur.
Ndryshe, me aktvendimin e 1 korrikut 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur si të palejuar padinë e paditësit Halimi kundër të paditurit Kurteshi, me anë të së cilës kishte kërkuar shumën prej 25 mijë euro, në emër të shpifjes dhe fyerjes
Sipas padisë së ushtruar më 27 janar 2020, paditësi Enis Halimi e ka paditur Sami Kurteshin për kompensimi të dëmit.
Në padi thuhet se gjatë muajit tetor 2019 në Kosovë janë organizuar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjatë së cilës periudhë, paditësi ka ushtruar funksionin e tij si kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së.
Tutje, në padi thuhet se numërimi i rezultateve të zgjedhjeve kishte hasur në disa probleme teknike në fletënumërim, gjë që e kishte bërë të domosdoshme rinumërimin e një pjese të madhe të kutive të votimit, për çka procesi i numërimit dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare ishte zgjatur deri më datë 7 nëntor.
Paditësi në padi pretendon se pak ditë para shpalljes së rezultatit përfundimtar, i padituri Sami Kurteshi në llogarinë e tij personale në rrjetin social “Facebook”, kishe shpifur dhe fyer rëndë paditësin, e duke e quajtur edhe “kriminel i rryer”, më pas veprimet e tij si “krim me paramendim”, si dhe “një burokrat injorant apo i kriminalizuar”.
Andaj, duke u bazuar në Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes dhe Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, paditësi ka kërkuar nga gjykata që të vërtetohet se i padituri Sami Kurteshi duke shpifur dhe fyer ka nxjerrë të dhëna të pavërteta për paditësin me të cilat e ka dëmtuar rëndë nderin dhe autoritetin e paditësit.
Po ashtu, ai ka kërkuar që të detyrohet i padituri që në emër të kompensimit të dëmit moral për dhimbjet shpirtërore të përjetuara nga shpifja t’i paguajë paditësit shumën prej 15 mijë euro, ndërsa për dëm material shumën prej 10 mijë euro, me kamatë ligjore prej 8%, si dhe shpenzimet e procedurës.