1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Aparatura “me tepricë” në QKUK

Janë së paku dy aparatura në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të cilat me vite nuk përdoren – qoftë për mungesë të materialit, apo të stafit.

Për pasojë, pacientët duhet t’u drejtohen klinikave private në vend apo jashtë dhe të paguajnë shuma të caktuara parash.

Një përvojë të tillë është duke e kaluar Arben Pireva. Mjekët i kanë rekomanduar që fëmijës së tij t’ia bëjë analizën e klorit të djersës.

Me këtë përcaktohet nëse pacienti ka ose jo fibrozë cistike – sëmundje që prek kryesisht sistemin e frymëmarrjes dhe atë të tretjes.

“Në një kohë është bërë në laborator, aty në spital… Tash nuk po bëhet, për shkak të mungesës së preparateve. Kështu po më thonë”, rrëfen Pireva për Radion Evropa e Lirë.

“Duhet të bëhet privatisht, por edhe atje ishte me terminë. Duhet kohë dhe kushton”, thotë ai.

Në institucionet private shëndetësore, analiza e klorit të djersës kushton nga 80 deri në 150 euro.

Në Pediatri të QKUK-së gjendet aparati “Sweat-check” për këtë lloj analize, por ka më shumë se një vit e gjysmë që nuk përdoret, në mungesë të reagjentit, apo substancës që është e nevojshme për të detektuar praninë e një substance tjetër në organizëm.

“Mungesat kanë ndodhur, pasi për kohë të gjatë nuk ka pasur ofertues për furnizim me reagjentë. Tashmë është bërë zgjidhja dhe klinika pritet të furnizohet së shpejti”, thuhet në një sqarim me shkrim të QKUK-së, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Reagjentët për këtë analizë nuk janë pjesë e listës esenciale të barnave dhe duhet të blihen me anë të tenderit.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajçevci, shpreh bindjen se kërkesat për furnizim me reagjentë të tillë janë bërë me kohë.

“Analizat duhet të bëhen [edhe privatisht], sepse kur nuk ka material, duhet të diagnostikohet fëmija. Por, nuk është problem i Klinikës së Pediatrisë”.

“Qe një vit e gjysmë, sa jam unë drejtoreshë, nuk është bërë analiza e klorit në djersë. Nuk është bërë, sepse nuk ka pasur material. Materiali është kërkuar, por nuk ka pasur ofertues për të”, thotë Grajçevci.

Një tjetër aparat që e posedon Pediatria, por që nuk përdoret, është bronkoskopi.

Në vlerë prej qindra mijëra eurosh, ai mbetet i paketuar nga viti 2018, për shkak të mungesës së stafit adekuat për të operuar me të.

Bronkoskopi ndihmon mjekët që të diagnostikojnë sëmundje të ndryshme të mushkërive – nga infeksionet deri te tumoret.

Nga QKUK-ja thonë se kjo aparaturë nuk është duke u përdorur për shkak të mungesës së mjekëve që dinë të operojnë me të.

“Klinika e Pediatrisë posedon aparatin bronkoskop për nevoja të repartit të pulmologjisë. Një doktoreshë e këtij reparti është duke u trajnuar në Klinikën e Pulmologjisë, derisa të mund të punojë në mënyrë të pavarur”, thuhet në shpjegimin e QKUK-së.

Drita Telaku-Qosaj, pediatre në repartin e pulmologjisë së kësaj klinike, thotë se ka metoda të tjera për ekzaminim dhe diagnostikim, që e zëvendësojnë bronkoskopin.
“Ky aparat ndihmon, por, fatmirësisht, malinjitete nuk kemi [ose] kemi tepër rrallë dhe ka procedura të tjera diagnostikuese. Është CT-ja dhe të tjera, nuk është vetëm bronkoskopia”, thotë Telaku-Qosaj.

Pediatri Hajdin Ymeri, i cili prej vitesh punon në repartin e pulmologjisë në Klinikën e Pediatrisë, thotë se në rrethana normale, bronkoskopi është i domosdoshëm.

“Një aparaturë e tillë është ndihmesë në diagnostikim. Ai aparat përdoret te rastet e fëmijëve me të cilët mund të bashkëpunosh në proces – do të thotë te mosha 5, 6, 7 vjeç e tutje dhe potencialisht i mbron nga rrezatimet me rëntgen”, thotë Ymeri.

Klinika e Pediatrisë në QKUK nuk është e vetmja që posedon aparatura që nuk i shfrytëzon.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar për raste të ngjashme edhe në spitale rajonale të Kosovës.

Nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës i kanë thënë më herët REL-it se bashkëpunojnë me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për blerjen e aparaturave, të cilat “profesionistët shëndetësorë i konsiderojnë të nevojshme”.

Por, një problematikë që e karakterizon sistemin shëndetësor të Kosovës prej vitesh, është edhe mungesa gjithnjë e më e madhe e stafit adekuat, apo largimit të tij.

Të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2022, rreth 200 mjekë të profileve të ndryshme e kanë braktisur sistemin shëndetësor dhe kanë emigruar kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas kësaj ode, të larguarit ankohen kryesisht për kushte jo të mira pune, paga të ulëta dhe keqmenaxhim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img