Arsyet zyrtare të këtij vendimi, që më tepër se Tirana, është nxitur nga Prishtina, nuk janë bërë të ditura.
Por, lajmin e mosmbajtjes së takimit të madh të Vlorës e kanë konfirmuar disa burime për klankosova.tv.
“Zyra e kryeministrit ka propozuar një datë tjetër, më të përshtatshme se 24 prilli”, ka thënë një burim nga Qeveria e Kosovës, që është deklaruar në kushte anonimiteti.
“Arsyetimi ka qenë se bëhet fjalë për agjendë të ngjeshur të kryeministrit”, ka thënë ky burim.
Mosmbajtja e takimit të dy qeverive më 24 prill është konfirmuar edhe nga Tirana.
“Jemi në konsultime për ta gjetur një datë tjetër për mbledhjen e dy qeverive”, ka thënë një burim nga qeveria shqiptare.
“Besoj që ditëve në vazhdim do të jemi në gjendje ta tregojmë datën kur potencialisht mund të mbahet takimi i ri”.
Një ditë më parë, është raportuar se më 24 prill do të ketë një ngjarje tjetër, shumë më e rëndësishme se ajo e mbledhjes së dy qeverivë, që zhvillohet në Tiranë.
Këtë ditë, sipas burimeve të televizionit, Kuvendi i Republikës do ta ketë në rend dite miratimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.
Të nesërmen, më 25 prill, pritet prishja e koalicionit qeverisës PDK-LDK, për t’i lënë vend zgjedhjeve të parakohshme, që me gjasë do të mbahen me 28 maj ose 4 qershor.