Site icon PrishtinaPress

Anulohet seanca për korrupsion ndaj dy teknikëve të Radiologjisë, pas kërkesës së njërit prej të akuzuarve

Me kërkesë të të akuzuarit Ismet Veliu, është anuluar seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i njëjti së bashku me Albert Dedën akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Veliu dhe Deda, në cilësinë e teknikëve të Radiologjisë po akuzohen se kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra, duke e dëmtuar buxhetin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) në vlerë prej 202 euro.

Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi, u bë e ditur se i akuzuari Veliu ka kërkuar anulimin e seancës për arsye shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2021, të akuzuarit Albert Deda dhe Ismet Veliu po akuzohen se në cilësinë e teknikëve të Radiologjisë në Repartin e Klinikës së Radiologjisë në SHSKUK-së, ku ishin përgjegjës të çelësave, kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e SHSKUK-së 202 euro, që t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim pasuror të kundërligjshëm.

Me këtë, Deda dhe Veliu po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. 

Exit mobile version