Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka bërë të ditur se ka marrë vendim për anulimin e provimit të emërimit të noterëve.
Haxhiu ka thënë se nuk mund ta shtyjë përpara një proces të kompromentuar.
“Sipas legjislacionit në fuqi, provimi i noterisë mbahet dhe përfundon duke pasur për bazë parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe objektivitetit. I njëjti proces nuk ka pasur as ligjshmëri as transparencë, as objektivitet. Në këtë drejtim unë si ministër e drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara një proces të komprometuara.
Nuk mund të shtyjë përpara ku shumica e kandidatëve që kanë kaluar provimin e noterisë janë militantë partie, anëtarë apo miq të anëtarëve të komisionit të noterisë.
Si ministre e drejtësisë, sot kam marr vendim pas konsultimeve që i kam bërë me departamentet përkatëse brenda Ministrisë së Drejtësisë që ta anulojë procesin e noterisë të shpallur më 19 prill 2019.”, ka thënë Haxhiu, transmeton Telegrafi.
Haxhiu ka shtuar se ky proces është duke u hetuar edhe nga ana e Prokurorisë. Po ashtu ministrja ka bërë të ditur se të gjitha pagesat që janë bërë nga kandidatët që i janë nënshtruar provimit të noterisë do të kthehen.
“Konkursi do të shpallet sa ti bëjmë disa procedura tona të brendshme dhe vendimi i dytë është që në kemi shfuqizuar vendimin për emërimin e komisionit për zgjedhje të notereve dhe anëtarët që janë zgjedhur nga ish ministri ata kanë mandat 3 vjeçar por ne e kemi shfuqizuar. Anulimi i këtij procesi do të udhëhiqet nga transparenca dhe ky vendim është sinjal i qartë që procese të tilla nuk do të ndodhin asnjëherë”, tha ajo.