4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Anija amerikane niset drejt Hënës, por has në disa sfida

Anija amerikane e hapësirës “Peregrine” u nis drejt hapësirës të hënën, për herë të parë 50 vjet pas uljes së njeriut në Hënë, duke nisur kështu një garë mes kompanive private për të dërguar objekte në Hënë.

Por rreth shtatë orë pas ngritjes, kompania “Astrobotics” njoftoi se paneli diellor i anijes nuk po pozicionohej si duhet për të përdorur energjinë diellore. Zyrtarët e kompanisë thanë se janë duke hetuar problemin.

Anija hapësinore e kompanisë nga Pitsburgu u nis për në Hënë përmes raketës së re “Vulcan”. Raketa u lëshua nga Florida para agimit, ndërkohë që anija, ishte planifikuar të ulej në Hënë më 23 shkurt, përmes një trajektoreje të tërthortë.

Kompania “Astrobotics” synon të bëhet biznesi i parë privat që ulet me sukses në Hënën, një arritje që deri tani është realizuar vetëm nga katër shtete.

Një kompani tjetër nga Hjustoni, ndërkohë ka përgatitur për fluturim një anije tjetër hapësinore dhe mund të ulet në Hënë përpara anijes “Peregrine”, duke përshkruar një trajektore më të drejtpërdrejtë.

Administrata Kombëtare Amerikane e Aeronautikës dhe Hapësirës, NASA, u ka dhënë këtyre dy kompanive miliona dollarë për të ndërtuar anijet e tyre hapësinore dhe për t’i dërguar në Hënë. Agjencia e hapësirës dëshiron që anijet kozmike të kompanive private të hulumtojnë paraprakisht vendin e uljes në Hënë, para dërgimit në të të astronautëve dhe që të realizojnë eksperimente teknologjike dhe shkencore për NASA-n, shtete tjera dhe universitete, si dhe duke u angazhuar me porosi të ndryshme për klientë të tjerë. Kontrata e kompanisë “Astrobotics” për anijen kozmike “Peregrine” ishte 108 milionë dollarë.

Hera e fundit kur Shtetet e Bashkuara nisën një mision në Hënë ishte në dhjetor të vitit 1972. Astronautët Gene Cernan dhe Harrison Schmitt me misionin “Apollo 17” u bënë personat e 11 dhe 12 që ecën në Hënë, duke përmbyllur një epokë që vazhdon të shihet si maja e arritjeve të NASA-s.

Programi i ri i agjencisë së hapësirës, i quajtur “Artemis”, sipas motrës binjake të Apollos në mitologjinë greke – planifikon të kthejë në sipërfaqen e Hënës astronautët gjatë disa viteve të ardhshme. Fillimisht është planifikuar një fluturim përreth Hënës me katër astronautë që mund të ndodhë para përfundimit të vitit.

Shtetet e Bashkuara janë deri më tani, vendi i vetëm që kanë dërguar njerëz në Hënë, vendet e tjera kanë ulur mjete në Hënë por pa ekuipazh.

Në vitet 1960 dhe 1970 Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara realizuan një mori uljesh të suksesshme në Hënë, para se ta ndërprisnin programin. Kina iu bashkua këtij grupi elitar në vitin 2013 dhe India në vitin 2023. Por vitin e kaluar, anije kozmike nga Rusia dhe nga një kompani private japoneze u përplasën në Hënë. Një anije kozmike e një organizate jofitimprurëse izraelite u përplas në Hënë më 2019.

Muajin e ardhshëm, SpaceX do të nisë anijen e saj nga “Intuitive Machines.” Edhe Nova-C ka gjasa të mbërrijë në Hënë në të njëjtën kohë përmes një rruge më të drejtpërdrejtë një javore. Këto dy anije kozmike mund të ulen në Hënë me një diferencë prej disa ditësh, ose brenda pak orësh nga njëri tjetri.

Përpos që do të bartë eksperimentet e NASA-s, kompania “Astrobotics” ka reklamuar edhe biznesin e saj të dërgesave, duke ngarkuar në anijen saj kozmike “Peregrine”, që ka një gjatësi prej 1.9 metrash, me sende të tjera, si një copëz guri nga Maja e Everestit, makina, me madhësinë e makinave të lodrave, që do të lëshohen në sipërfaqen e Hënës dhe do të lëvizin në të, e deri te hiri dhe ADN-ja e entuziastëve të hapësirës që kanë vdekur, përfshirë krijuesin e serialit “Star Trek” Gene Roddenebrry dhe shkrimtarin e zhanrit fantastiko-shkencor Arthur C. Clarke.

Fisi autokton i indianëve të Navajos ka kërkuar së fundmi që të shtyhet nisja e anijes kozmike për shkak të (hirit) mbetjeve njerëzore, duke thënë se një gjest i tillë do të ishte një “përdhosje e thellë” e universit, që konsiderohet i shenjtë për indianët autoktonë. Zyrtarët e udhëtimit në hapësirë thanë në dhjetor se kundërshtitë ndaj këtij procesi ishin bërë shumë vonë, por premtuan se do të provojnë të gjejnë “një zgjidhje të përshtatshme në të ardhmen” me këtë fis në misionet e tyre të radhës.

Kompania “Celestis”, njëra nga kompanitë që bleu hapësirë në anijen kozmike për të dërguar hirin, tha përmes një deklarate se asnjë kulturë apo fe e vetme nuk e ka pronë Hënën dhe nuk mund t’i lejohet e drejta e vetos për të ndaluar misione të tilla. Një pjesë e mbetjeve mortore gjenden po ashtu në kokën e raketës, e cila do të hidhet në orbitën e pafundme përreth diellit dhe mund t’i afrohet Marsit.

Çmimet e dërgesave në anijen kozmike “Peregrine” kapin shifrat prej disa qindra dollarëve deri në 1.2 milionë për kilogramë, që as për së afërmi nuk i afrohen kompensimit të shpenzimeve të kompanisë “Astrobotics”. Por, sipas zyrtarëve të kompanisë, në këtë fluturim të parë ky as nuk ishte qëllimi.

“Ëndërrat e shpresat e shumë njerëzve po varen nga ky mision,” deklaroi drejtori ekzekutiv i kompanisë “Astrobotics”, John Thornton. /VOA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img