Site icon PrishtinaPress

Anëtarët e Listës Serbe si Rakiq e Simiq e nënshkruajnë peticionin dhe iu ikin gazetarëve

Në sallën e sporteve në pjesën veriore të Mitrovicës, sot në ora 9:00 ka filluar nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarit të Komunës, Erden Atiq. Që kur ka nisur nënshkrimi, qytetarët serbë kanë ardhur masivisht, ndërsa para këtij objekte janë qindra njerëz, raporton mediumi serb, Kossev. Në mesin e atyre që shkuan për të nënshkruar ishin edhe krerët më të lartë të Listës Serbe, të rinj e të vjetër, të cilët njëzëri nuk ishin të gatshëm t’u përgjigjeshin pyetjeve të gazetarëve.

Mediumi raporton se dje punonjësit serbë në institucione kanë marrë ftesa për t’iu përgjigjur pozitivisht peticionit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore.

Peticioni është nënshkruar mëngjesin e sotëm nga krerët më të lartë të Listës Serbe. Menjëherë pas orës 9 ka mbërritur kryetari i kësaj partie, Zlatan Elek, si dhe Igor Simiq, Goran Rakiq, Dragisha Miloviq dhe Ivan Zaporozhaq.

Ata kanë nënshkruar peticionin “pa koment”, duke mos dashur të flasin për media, pavarësisht tentativave të shumta.

Igor Simiq nuk ishte i disponuar për të dhënë një deklaratë paraprakisht, por as pasi nënshkroi peticionin dhe u largua nga zona përreth sallës së sportit.

Edhe Goran Rakiq ka refuzuar të komentojë për nënshkrimin e peticionit, por edhe për të gjitha ngjarjet që i kanë paraprirë këtij nënshkrimi. Pyetjes konkrete të Kossev se si ka ardhur deri te momenti që nga largimi nga institucionet dhe vendosja e kushteve, tani përmes një peticioni të nënshkruar nga qytetarët që të kërkojnë të kthehen në ato institucione, Rakiq nuk ka dashur t’i përgjigjet.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Elek, i cili pikërisht në momentin kur i është kërkuar të përgjigjet, bëri një telefonatë.

Arsyeja pse as Dragisha Miloviq nuk ka mundur të na japë deklaratë sot, siç tha shkurt ai, është se është i sëmurë.

As qytetarët serbë, të cilët ishin me qindra, nuk ishin të disponuar për t’u deklaruar.

 

Exit mobile version