Anëtarët e Klubit të Kikboksit “Kosovska Mitrovica”, në Mitrovicë të Veriut përmes një trajnimi kanë dal në mbështetje të Millun Millenkovic, i cili u arrestua disa ditë më parë në veri.
Stërvitja u mbajt në pllajën e Shkollës së Mesme Teknike “Mihailo Petrović Alas” dhe anëtarët e KBK-së “Kosovska Mitrovica” edhe një herë e përkrahën kryetrajnerin e tyre, por edhe serbët e tjerë të arrestuar.
Ndihmësi i trajnerit, Aleksandar Alagiq, ka theksuar se kjo është forma e vetme e protestës që mbështet ky klub.
“Me aktivitete sportive, me garues dhe rekreativë të klubit tonë, mbajtëm një trajnim publik në formë proteste, për trajnerin tonë të sportit, e mbi të gjitha mësuesin e jetës – MM, i cili u arrestua padrejtësisht”, tha Alagiq.
Ai paralajmëroi mbajtjen e trajnimeve publike edhe në ditët në vijim, si formë mbështetjeje për MM-në, por edhe për të gjithë serbët e arrestuar.
Stërvitja e sotme tërhoqi vëmendjen e bashkëqytetarëve, të cilët inkurajuan me duartrokitje këta sportistë të rinj.
Millenkoviq është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pak kohë pas arrestimit të tij.
“I njëjti ka qenë edhe organizator kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, tha Sveçla.
Aksioni i Policisë së Kosovës për arrestimin e tij u zhvillua në Mitrovicë të Veriut.
Për aktivitetet e Millenkoviqit në internet nuk ka shumë informacione publike.
Merret vesh se ai është trajner i klubit të kikboksit “Kosovska Mitrovica” (“Mitrovica e Kosovës”) dhe se ka marrë pjesë në emisione televizive në Serbi.
Sipas intervistave që ka dhënë Millenkoviq, ky klub e ka bazën në pjesën veriore të Kosovës dhe ka më shumë se 100 anëtarë.