Plus 40 milionë euro shtesë do t’i ketë në kuletën e saj Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë vitit të ardhshëm.
Ky vendim u mor të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë, teksa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci vlerësoi se kjo i kontribuon përshpejtimit të anëtarësimit të vendit në NATO.
“… u ndanë dhe 40 milionë euro shtesë për ushtrinë tonë, duke tejkaluar kështu buxhetin prej 200 milionë eurove, apo mbi 2% e BPV, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s. Duke investuar në ushtri po investojmë në sigurinë e qytetarëve tanë dhe në mbrojtjen e integritetit të territorit të Republikës së Kosovës”, ishte shprehur Maqedonici
Kjo rritje e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, po mirëpritet edhe nga njohësit e fushës.
Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli thotë se kjo ndikon pozitivisht në rrugëtimin e vendit drejt organizatave ndërkombëtare të sigurisë, por thekson se duhet bërë edhe më shumë investime në këtë fushë.
Edhe Hysen Gecaj, ish-ushtarak vlerëson se çdo investim në ushtri është i dobishëm për vendin.
Veçse ky thotë se për anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë, varet edhe nga rrethanat politike. E sipas tij, një gjë e tillë ende nuk është prezente, raporton Teve1.
Me këtë rritje prej 40 milionë eurosh, buxheti për FSK-në arrin në afro 200 milionë euro, shumë kjo e cila është më e larta që nga transformimi i saj.