12.4 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Anëtarësimi i Kosovës në BE, i pamundur pa njohjen e pesë shteteve mosnjohëse

Pesë shtetet mosnjohëse të Pavarësisë, po dalin të jenë goxha problem për Kosovën. Derisa ekzistojnë këto shtete, Kosova nuk mund të anëtarësohet kurrë në Bashkimin Evropian, vlerësojnë njohës të proceseve integruese.

Sipas tyre, aplikimi i Kosovës përbën herën e parë që një shtet merr një nismë të tillë, pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Ata thonë se si çdo aplikim tjetër, edhe ky i këtij viti mund të mbesë në sirtarët e Bashkimit Evropian.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Avni Mazreku thotë se aplikimi i Kosovës është bërë për sy e faqe, dhe si e tillë nuk do të merret për bazë.

Ai shton se marrja e statusit për vendin kandidat e vështirëson edhe më shumë mosnjohja e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai thotë se këto shtetet do ta bllokojnë procesin për t’u trajtuar si rast normal në procesin e anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

“Fatkeqësisht unë mendoj që për Kosovën nuk do të ketë asnjë hap procedural në funksion të konfirmimit të statusit të vendit kandidat, përkatësisht të fillimit të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, për faktin se Kosovën nuk e kanë njohur pesë shtetet anëtare të BE-së. Në mungesë të këtyre pesë njohjeve, Kosova është e hendikepuar të trajtohet si rast normal në procesin e anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Prandaj, akti i aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat, është vetëm një akt formal i ndërmarrë nga ana e institucioneve të Qeverisë së Kosovës, i cili eventualisht mund të reflektojë në nxitjen e debatit brenda strukturave institucionale të BE-së, por efekte që do të shkaktonte pasoja apo rezultate me këtë akt nuk do të ketë për Kosovën”.

Mazreku ka thënë se pa u njohur nga këto pesë vende, Kosova nuk do të anëtarësohet kurrë në Bashkimin Evropian.

“Derisa ekzistojnë pesë shtete që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, E para Kosova nuk mund të anëtarësohet kurrë në Bashkimin Evropian dhe e dyta nuk mund të arrihet konsensus brenda strukturave vendimmarrëse të BE-së për t’u konfirmuar statusi i vendit kandidat, i cili i hap rrugë anëtarësimit në Bashkim Evropian, dhe rrjedhimisht këto stade procedurale Kosova nuk mund t’i kalojë”, u shpreh Mazreku.

E njohësi i proceseve integruese, Agron Hoti, thotë se Kosova do të hasë në pengesa të mëdha. Ai përmend edhe dialogun Kosovë-Serbi, si parakusht për t’u anëtarësuar në BE.

“Nuk ka ndonjë kohë të caktuar se kur një vend aplikon për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sigurisht që Qeveria e ka dorëzuar aplikacionin tek Këshilli i Ministrave të BE-së, mirëpo shqyrtimi i kësaj do të marrë shumë kohë, sepse jemi duke kaluar në një proces goxha të rëndë që është dialogu Kosovë-Serbi dhe pa një epilog të suksesshëm nga kjo, do të jetë e pamundur që të shqyrtohet kërkesa për anëtarësim në BE”, u shpreh Hoti.

Teksa ka folur për këtë aplikim, Hoti është shrpehur skeptik se Kosova mund të anëtarësohet në BE. Thotë se pa i përfunduar raportet me fqinjët, është i pamundur anëtarësimi.

“Rreziku ekziston që të mbetet në sirtarë, sepse parakusht për të ecur drejtë integrimit evropian është rregullimi i raporteve fqinjësore, në këtë rast ne nuk i kemi të rregulluara me Serbinë. Pra pa i rregulluar problemin me Serbinë, nuk shpresoj shumë që BE-ja do të na japë statusin e kandidatit, dhe jam goxha skeptik”, u shpreh Hoti./EO

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img