Andi Pajazitit – italiani, i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.
Ai është i dyshuar për vrasjen e ndodhur më datën 4 gusht 2023 në lokaline njohur “Bon Vivant” në Prishtinë.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore Mirlinda Gashi.
Gashi tha se Pajazitit iu vazhdua paraburgimi deri më 4 maj.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit A.P., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04.03.2024 ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit A.P iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj. Masa e paraburgimit të njëjtit i llogaritet prej datës 05.03.2024 deri me datën 04.05.2024”, tha Gashi.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, më 31 gusht 2023, ishte ndaluar N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit.
Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Më 24 tetor 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë pësuar lëndime trupore në incidentin në “Bon Vivant” më 4 gush, që të paraqiten në Policinë e Kosovës apo në Prokurori, me qëllim të zbardhjes së rastit.Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale.
Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.
Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave