Kylian Mbappe e nisi në mënyrë fantastike eksperiencën me Real Madridin.
Ylli francez ishte mjaft aktiv në ndeshjen e Superkupës së Evropës ndaj Atalantës, të cilën “Los Blancos” e fituan me rezultat 2:0 mbrëmë në Varshavë të Polonisë.
Ish-futbollisti i Monacos dhe i Paris Saint-Germainit e shënoi golin e parë në fanellën e bardhë për ta ndihmuar kampionin spanjoll dhe evropian që ta nisë sezonin e ri me një trofe të fituar.
E pas lojës, trajneri Carlo Ancelotti u pyet nëse përfaqësuesi francez ka kapacitet për t’i shënuar 50 gola në këtë sezon me madrilenët.
“Paj, ai i ka kualitetet për të shënuar më shumë se aq!”, deklaroi trajneri italian.
Reali e transferoi 25 vjeçarin pa paguar fare dëmshpërblim pasi nënkampionit botëror i skadoi kontrata natyrale me parisienët.
Ai konsiderohet si një përforcim i madh për “Merengues”, të cilët synojnë t’i përsërisin sukseset e vitit të kaluar.
Sa për ndeshjen e mbrëmshme, golin e parë të fituesit të Ligës së Kampionëve ndaj fituesit të Ligës së Evropës, ku aktivizohet edhe futbollisti shqiptar Berat Gjimshiti, e realizoi Federico Valverde.