Site icon PrishtinaPress

Analiza e BBC: Pse ishte kaq vdekjeprurës tërmeti në Turqi dhe Siri

Një tragjedi ka tronditur sot mbarë botën ku më shumë e 2 mijë persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjera janë plagosur pas një tërmeti shkatërrimtar që goditi në orët e para të mëngjesit Turqinë dhe Sirinë, raporton BBC.

Tërmeti, i cili goditi pranë qytetit të Gaziantep, u pasua nga rreth 120 pasgoditje deri në këto momente, ku të paktën janë regjistruar 2 goditje të tjera të mëdha mbi 7 ballë.

Por pse ishte kaq vdekjeprurëse tërmeti i së hënës?

Magnituda e tij ishte e lartë, me raportime që shkojnë në 7.7 apo 7.8 ballë. Edhe thellësia e tërmetit ishte e cekët, me rreth 18 kilometra nën sipërfaqen e tokës, gjë që ndikon edhe në dëmin e shkaktuar në ndërtesa.

Profesoresha Joanna Faure Walker, kryetare e Institutit për Reduktimin e Rrezikut dhe Fatkeqësive në “University College London”, tha:

“Nëse i referohemi tërmeteve më vdekjeprurëse, ka pasur vetëm dy në 10 vitet e fundit me magnitudë të ngjashme”.

Megjithatë nuk është vetëm fuqia e dridhjes që shkakton shkatërrimin e këtyre përmasave.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur personat ndodheshin brenda në banesat e tyre dhe flinin. Qëndrueshmëria e ndërtesave është gjithashtu një faktor.

Vendimtar është edhe zona në të cilën ka rënë tërmeti. Epiqendra ka qenë në Turqinë Jugore dhe Siri, rajon ku nuk kishte pasur një tërmet të madh për më shumë se 200 vite. Kjo bën që edhe niveli i gatishmërisë të ishte më i ulët se në zonat që dihet që kanë një aktivitet të vazhdueshëm sizmik.

Çfarë e shkaktoi tërmetin?

Korja e Tokës përbëhet nga pllaka, që qëndrojnë pranë njëra tjetrës dhe që tentojnë herë pas here të lëvizin.

Në këtë rast, ishte pllaka arabe që lëvizte në drejtim të veriut dhe “kërceu” kundër pllakës së Anadollit.

Fërkimi nga pllakat ka qenë përgjegjës për tërmetet shumë të dëmshme në të kaluarën.

Më 13 gusht 1822 kjo dukuri shkaktoi një tërmet me magnitudë 7.4 ballë, megjithatë, tërmeti i shekullit të 19-të rezultoi në dëme të mëdha në qytetet e zonës, me 7,000 vdekje të regjistruara vetëm në qytetin e Alepos. Pasgoditjet e dëmshme vazhduan për gati një vit.

Deri tani ka pasur disa pasgoditje pas tërmetit të sotëm dhe shkencëtarët presin që ai të ndjekë të njëjtin trend si ai i mëparshmi.

Kujtojmë se tërmeti më i madh ndonjëherë është i magnitudës 9.5 i regjistruar në Kili në vitin 1960.

Exit mobile version