Analistët serbë kanë paralajmëruar ndryshime të qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Serbisë, nëse ky shtet nuk ia përfill kërkesat e fundit lidhur me Kosovën, pas sulmit të grupit të armatosur serb në Banjskë të Zveçanit dhe veprimeve kërcënuese të shtetit të Serbisë.
“Nëse Beogradi nuk ndryshon dhe përmirësohet, nëse nuk i përmbush kushtet e vëna nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, sepse nga të dyja adresat kanë ardhur kërkesa jo të zakonshme, do të ndryshojë Washingtoni. Afatet këtë herë nuk janë fleksibile si në rastin e sanksioneve kundër Rusisë, andaj sanksionet lehtë mund të jenë në agjendë. Pra, afatet janë shumë strikte dhe është e mundshme që pas Banjskës të jetë koha për ndryshim”, ka thënë për “Danas” Sreçko Gjukiq, diplomat karriere.
Një ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke i thënë se përgjegjësit për sulmin në Banjskë, e që sot janë në Serbi, duhet të dalin para drejtësisë. Vuçiqi në një konferencë për media u shpreh se i janë përmendur edhe masat e mundshme. Më pas, po të premten, Shtëpia e Bardhë doli me kërkesë të qartë për Serbinë duke i kërkuar t’i heqë trupat ushtarake nga afërsia e kufirit me Kosovën.
“Aleksandar Vuçiq është bartësi dhe mishërimi i politikës së plotë serbe sot, pikërisht siç ishte Sllobodan Millosheviqi në kohën e tij. Nuk ka personalitete të tjera, e as nuk ka institucione të tjera në Serbi. Vuçiqi mbjell dhe korr”, ka thënë Gjukiq duke shtuar se tani SHBA-ja dhe BE-ja ia kanë caktuar parametrat – “bashkëpunim i plotë ose kalo në faqen tjetër”.
Ngjashëm mendon edhe ish-diplomati Milovan Bozhinoviq. Sipas tij, është praktikë e njohur e SHBA-së që të reduktojë komunikimin me shtetet si Serbia, për t’ua bërë të qartë që “po komunikojnë me shefin”. Ai ka parashikuar se kështu do të jetë edhe për së paku një kohë.
“Ngjarjet tragjike në Banjskë – pavarësisht faktit se ka pasur hipoteza të ndryshme për prapavijën e tyre – padyshim që kanë potencial destruktiv që mund të ndryshojë situatën në Kosovë dhe ta bëjnë pozicionin tonë ndërkombëtar më të vështirë, dhe mbi të gjitha, të prapambetur”, ka thënë Bozhinoviq duke shtuar se pasi ndërkombëtarët e kanë cilësuar akt terrorist “tani ka shanse që Perëndimi do t’i kërkojë me ashpërsi dhe në mënyrë jofleksibile” Serbisë kontribut në zbardhjen e rastit.
Sipas tij, në muajt, ndoshta edhe vitet e ardhshme, kjo do të tërheqë Serbinë në “tensione rraskapitëse me BE-në dhe SHBA-në, me kërcënime me sanksione, izolim e të ngjashme”. Ai ka thënë se tash SHBA-ja do të presë nëse Serbia do ta ekstradojë në Kosovë, Milan Radoiçiqin, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Sipas Bozhinoviqit, viktimat më të mëdha do të jenë serbët e Kosovës. Ai ka thënë se tashmë Policisë së Kosovës i janë dhënë kompetenca më të mëdha në veri dhe se “këto janë realitetet e reja me të cilët do të jetojnë banorët e komunave veriore”.
Ndërsa Mihajlo Bërkiq, ambasador i pensionuar, ka thënë se ngjarjet në Banjskë do të kenë pasoja negative për pozicionin e Serbisë në negociatat e ardhshme me Kosovën dhe sidomos për statusin e serbëve në veri.
Sipas tij, edhe dërgimi i ushtrisë afër kufirit vetëm do ta dobësojë pozicionin e Serbisë dhe do ta rrisë presionin amerikan.
“Sa i përket raportit të administratës amerikane karshi autoriteteve dhe sidomos presidentit të Serbisë, që ka qenë pragmatik deri tash, kjo paraqet pozicion më të dobët negociues që nënkupton presion më të fortë për t’i përmbushur kërkesat e shqiptarëve”, ka thënë ai.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që nga 24 shtatori kur polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.
Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim.
NATO-ja ka shtuar forcat në veri.
Serbia ka thurur lavde për sulmuesit e vrarë, ndërsa ka shpallur edhe ditë zie.