0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Analistët: Opozita të bashkëpunojë me deputetët e pakënaqur të shumicës

Periudha më e mirë për të shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme është vjeshta e këtij viti. Kështu thonë analistët në Kosovë, të cilët theksojnë se nuk ka ndonjë kuptim të shkohet në zgjedhje, nëse opozita nuk ka ndonjë platformë të besueshme për qytetarët, që do të mund ta ndryshonte disponimin aktual të elektoratit.

Ndër të tjera, ata thonë se opozita duhet të bashkëpunojë edhe me deputetët e pakënaqur të shumicës në Kuvend.

Partitë opozitare në vend, kanë paralajmëruar se do të angazhohen fuqishëm që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, analistët në vend thonë se pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, spektri politik është i bllokuar dhe se zgjedhjet janë opsioni më i logjikshëm.

Analisti, Artan Muhaxhiri, tha për Radio Kosovën se për të shkuar në zgjedhje, partitë opozitare duhet të organizohen dhe të kenë një platformë të qartë, ndërsa sipas tij, periudha më e përshtatshme për të shkuar në zgjedhje është vjeshta e këtij viti. Muhaxhiri, shtoi se opozita e ka për obligim moral që të fuqizohet, në mënyrë që të ketë një garë politike konstruktive për të përfituar qytetari i Kosovës.

“Opozita kosovare është e çakorduar, sepse shpeshherë ka dëshmuar muajt e fundit, që nuk është në gjendje të përfitojë nga gabimet madhore të qeverisë Kurti. Kështu që, është vështirë e konceptueshme se si do ta çojë vendin në zgjedhje dhe si do të ketë rezultat pozitiv në zgjedhjet e reja. Nuk ka ndonjë kuptim që të shkohet në zgjedhje, nëse opozita nuk ka ndonjë platformë të besueshme për qytetarët, që do të mund ta ndryshonte disponimin aktual të elektoratit. Opozita nuk është duke u shfaqur bindëse para elektoratit se ka ndonjë strategji se si të shndërrohet në ndonjë alternativë shumë më të besueshme se sa qeveria Kurti. Nëse opozita është serioze dhe punon në mënyrë realiste drejt krijimi të një strategjie për ta ndryshuar qeverisjen në Kosovë, atëherë vjeshta do të ishte periudha më optimale për të shkuar vendi në zgjedhje, sepse edhe çështja e dialogut, edhe krizat politike, ekonomike e sociale, nuk mund të vazhdojnë më me këtë trend”, tha ai.

Ndërkohë, analistja Arta Tahiri, tha se nëse opozita është shumë serioze për të bërë një mocion votëbesimi në Kuvend, atëherë duhet të merret me deputetët e shumicës, të cilët janë të pakënaqur me punën që po ë bën partia në pushtet.

“Nëse kjo është e mundur, ku gjatë verës sigurisht që mund të bashkëpunojnë dhe të kenë një vizion të tillë. Por, sidoqoftë është një numër i konsiderueshëm prej 16 votash për të siguruar më shumë, për të marrë mocionin e votëbesimit. Nuk besoj që është e realizueshme, sepse 16 deputetë është një numër jashtëzakonisht i konsiderueshëm për të bërë një subjekt, ose një subjekt tjetër marrjen e tyre”, tha ajo.

Sipas analistëve, vendi mund të shkojë në zgjedhje në vjeshtën e këtij viti, por opozita vështirë se mund ta rrëzojë qeverinë në Kuvend, për shkak të numrave. Ndërkohë, në përfundim të sesionit pranveror të punës së Kuvendit, partitë opozitare kanë intensifikuar kërkesat e tyre për zgjedhje të reja.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img