Site icon PrishtinaPress

Analistët nuk e mirëpresin vazhdimin e mandatit të Lajçakut

Ndonëse u emërua në postin e emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për më shumë se katër vjet vlerësohet se ka dështuar në misionin për të cilin është ngarkuar.

E as vazhdimi i mandatit të tij deri në fund të janarit të 2025-s, sipas njohësve të fushës, nuk pritet të sjellë rezultate në procesin e dialogut.

Sipas njohësit të politikës, Fidan Ukaj, Lajçak ka favorizuar Serbinë dhe se nuk ka ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Mendoj se është një vazhdim i humbjes së kohës në ndihmimin e këtij procesi, Lajçak nuk ka treguar rezultat. Shtoja kësaj edhe mosbesimin ndaj Lajçakut që e kishte pala kosovare”, tha ai.

Ukaj pret që tek pas emërimit të një ndërmjetësuesi të ri, të zhbllokohet procesi dialogues.

“Krijimi i këtij besimi ndaj palëve dhe palëve ndaj lehtësuesit është një prej indikatorëve kryesor për vazhdimin e procesit dialogues apo zhbllokimin e këtij procesi”, shtoi ai.

Të njëanshme qëndrimet e Lajçakut po i cilësojnë edhe njohës të tjerë të këtij procesi, sipas të cilëve, BE po tregon se nuk ka interesim për të imponuar palët për ndonjë zgjidhje.

“Kemi një trazicion të lidershipit të vjetër me atë të ri që do të emërohet shumë shpejt dhe ata do të jenë të gatshëm për falsimitim por jo edhe për të imponuar zgjidhje. Por meqenëse kjo zgjidhje nuk po imponohet dhe nuk ka një rol më të avancuar të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në këtë dialog, gjasat janë për dështimin e radhës”, tha Arbnor Sadiku.

E për Melazim Kocin, diplomati sllovak thjesht po i shkon përshtati Serbisë. “Ka qëndrim shumë të njëanshëm, asimetrik dhe me këtë qasje ai është duke blerë kohë, që është synimi i fundit i Serbisë”, tha ai.

I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropianë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Lajçak është emëruar në këtë pozitë nga Josep Borell, i cili  ka mbajtur deri tani pozitën e shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE. /RTK

Exit mobile version