-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Analistët: Me ndihmën e palës kosovare, Serbia po e tjetërson historinë dhe veriun e Kosovës

Ekipet negociatore të Prishtinës dhe të Beogradit, në takimin e fundit – me ndërmjetësim të BE-së – janë pajtuar që kufiri në mes të dy komunave të Mitrovicës të definohet deri më 14 tetor të këtij viti. Gjithashtu, të dielën – më 14 gusht – do të fillojë procesi i të ashtuquajturit rivitalizim i urës kryesore mbi lumin Ibër, si dhe i rrugës kryesore në veri të Mitrovicës.
Rruga kryesore në veri, që tash quhet “Mbreti Petri i I-rë” e që fillon nga ura kryesore e Ibrit, do të shndërrohet në hapësirë për këmbësorë, ndërkohë që në të dy anët e urës – në drejtim të “Lagjes së Boshnjakëve”, “Tre soliterëve” dhe të Suhadollit – do të ndërtohen rrethrrotullimet. Xhamia tek ura e Ibrit, që ishte djegur gjatë luftës së fundit, nuk do rindërtohet.
Analistët thonë se kjo marrëveshje është dështim i institucioneve kosovare dhe triumf i palës serbe.

Nexhmedin Spahiu, në një prononcim për Telegrafin, shprehet se ministrja për Dialog, Edita Tahiri, “nuk merr erë në këtë punë”.
“Marrëveshje të tilla mund të nënshkruajë veç Edita Tahiri. Rruga kryesore në veri të Mitrovicës po mbyllet për qarkullim. Ura do të të dërgojë vetëm nëpër do sokakë, gjë që në aspektin psikologjik jep kuptimin e barrierës. Kjo pra është arsyeja se pse serbët e kanë mbajtur peng urën për 17 vite”, ka thënë ai. “përmes Editës, ata e legalizuan këtë pozicion. Ashtu siç lexova, në veri nuk do të ketë një rrethrrotullim, por dy rrethrrotullime. Rrethrrotullimi në anën e djathtë të urës nuk ka si të realizohet, pos duke u futur në truallin e Xhamisë se Ibrit që nuk po rindërtohet. Zaten ky është edhe qëllimi: te trualli i xhamisë të bëhet rrethrrotullimi e që kurdoherë që të ngritët çështja e rindërtimit të saj, të thuhet se nuk mund të prishet diçka që është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Sikur Edita Tahiri të merrte erë në interesat e Kosovës, ajo do të insistonte fillimisht në rindërtimin e Xhamisë së Ibrit e pastaj tek çështjet tjera”.
Sipas tij, qëllimi i zhdukjes së kësaj xhamie është zhdukja e historisë, për të krijuar përshtypjen që veriu i Mitrovicës përherë ka qenë serb dhe për t’ju dhënë mesazh joserbëve se janë të padëshiruar në këtë pjesë. Ai gjithashtu tha se Bashkësia Islame në Mitrovicë është e politizuar dhe se qëllimi i Beogradit është eliminimi i Xhamisë së Ibrit.
“Kryetarit të Bashkësisë islame në Mitrovicë, si edhe kryemyftiut Naim Tërnava, nuk duhet t’ju interesojë çështja e urës, por rindërtimi i Xhamisë së Ibrit”, shtoi Spahiu.
Në anë tjetër, analisti Imer Mushkolaj ka thënë për Telegrafin se ndërtimi i rrethrrotullimit e jo i xhamisë, është dështim i institucioneve kosovare dhe triumf i palës serbe. Sipas tij, Serbia po e arrin qëllimin për të tjetërsuar historinë e shqiptarëve.
“Serbia fillimisht e ka spastruar etnikisht atë pjesë, e tash këtë po e bën me pajtimin e zyrtarëve të Kosovës. Prishtina është dashur të insistojë që xhamia të rindërtohet aty ku ka qenë, sepse është objekt kulti dhe shenjë identifikuese e qytetit. Mu për këtë, nuk do të habitesha nëse marrëveshja për ndërtimin e rrethrrotullimit do të shkaktonte pakënaqësi tek qytetarët”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.
Përkitazi me këtë problematikë, Telegrafi u mundua të kontaktojë ministren për Dialog, Edita Tahiri, por kontakti ishte i pamundur.
Ndryshe, afati i ri i caktuar nga ekipet negociatore për hapjen e Urës së Ibrit, do të jetë
20 janari 2017.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img