Site icon PrishtinaPress

Analistët amerikanë për dialogun dhe tensionet Kosovë-Serbi

Arrestimi i shefit të zyrës së qeverisë serbe në Kosovës, Marko Gjuriq muajin e kaluar ka acaruar edhe më tej raportet mes Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar nevojën për një dialog që trajton marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve në kontekstin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian, thonë dy analistë amerikanë të çështjeve të Ballkanit.

Ross Johnson nga Qendra Wilson dhe Edward Joseph nga Universiteti Johns Hopkins i thanë Zërit të Amerikës se duhet një angazhim më i madh i Kosovës dhe Serbisë për zbutjen e tensioneve mes dy vendeve.

“Arrestimi i shefit të zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, muajin e kaluar ka acaruar edhe më tej marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar nevojën për të trajtuar çështjet më të mëdha në dialogun mes dy vendeve”, thotë eksperti i çështjeve të Ballkanit në Universitetin Johns Hopkins, Edward Joseph.

“Është një shembull tjetër i nevojës që Bashkimi Evropian të punojë me Shtetet e Bashkuara, që të mos mbështetet vetëm në dialogun teknik, por të trajtojë pyetjen politike gjithpërfshirëse të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Joseph.

Ndërsa, analisti Ross Johnson nga Qendra Wilson kritikoi ashpër Kosovën për arrestimin e zyrtarit serb në pjesën veriore të vendit.

“Ky ishte një veprim tepër trashanik i qeverisë së Kosovës. Ata duhet të gjejnë përgjegjësit e këtij veprimi. Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Shtetit e kanë kritikuar këtë veprim. Kjo nuk është mënyra e duhur e veprimit”, thotë ai.

Johnson tha se Kosova ka humbur më shumë nga kjo ngjarje dhe se gjetja e një zgjidhje paqësore me Serbinë është në interesin e Prishtinës:

“Pavarësisht kundërshtimeve ndaj shefit të zyrës serbe në Kosovë, ai duhet të lejohet të shkojë në Kosovë. Nëse këtë radhë ai nuk kërkoi lejen në mënyrë të rregullt, ai duhet të lejohej të hynte gjithsesi dhe pastaj t’i kërkohej herën tjetër që të respektonte rregullat. Ajo që ka ndodhur nuk është e dobishme. Unë mendoj se për përmirësimin e gjërave në lidhje me këtë çështje, qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë se sa ajo e Serbisë”.

Analisti Edward Joseph është dakord se Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë më shumë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre, por ai gjithashtu theksoi nevojën që dialogu të përqëndrohet më shumë tek përparimi i të dyja vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Është shumë e qartë, siç e kam thënë edhe pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, se ky proces po ndeshet me realitete politike dhe çështja kryesore është se si Kosova dhe Serbia mund të përparojnë drejt Bashkimit Evropian”, thotë Joseph.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian, i cili e kushtëzon anëtarësimin e saj me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Arrestimi dhe deportimi nga policia e Kosovës i zyrtarit serb, Marko Gjuriq ishte arsyeja e daljes së Listës Serbe nga qeveria e Kosovës. Kjo ka bërë që vendi të mbetet me qeveri të pakicës./VoA/

Exit mobile version