Site icon PrishtinaPress

Ana Bërnabiq sot viziton komunat në veri të Kosovës

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq sot do të realizojë një vizitë në Kosovë konkretisht në veri të Mitrovicës në Komunën e Leposaviqit.

Së bashku me kryeministren serbe, Kosovën do ta vizitojnë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, Petar Petkoviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për vizitën e planifikuar të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, për në veri të Kosovës.

Kurti tha se shpreson që Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, fillimisht do të ndalet në Mitrovicën e Veriut, ku do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës.

Pas kësaj është planifikuar një vizitë në Manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit e Zubin Potokun.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka njoftua se i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq që ta vizitojë Kosovën me datën 5 shtator 2022. Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, kanë thënë nga kjo ministri për Demokracia.com.

Përderisa Ana Bërnabiq dhe Petar Petkoviq do ta vizitojnë Kosovën, në Luginën e Preshevës zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci do të zhvillojnë takime me përfaqësuesit politikë shqiptarë, qytetarë e përfaqësues të bizneseve.

Exit mobile version