Presidenti amerikan, Donald Trump u kërkoi dje në mbrëmje vonë kombeve të civilizuara që t’i jepnin fund gjakderdhjes në Siri, pasi kishte urdhëruar fillimisht sulme ajrore kundër një baze ajrore të forcave qeveritare siriane.
“Të martën e kaluar, diktatori sirian Bashar al Assad kreu një sulm të tmerrshëm me armë kimike, kundër civilëve të pafajshëm. Duke përdor një gaz vdekjeprurës, Assadi shkaktoi vdekjen e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm. Për shumë prej tyre, ishte një vdekje e ngadaltë dhe brutale. Edhe vogëlushë të mrekullueshëm u vranë mizorisht në këtë sulm barbar. Asnjë fëmijë nuk duhet të vuajë nga një tmerr i tillë. Këtë mbrëmje urdhërova një sulm ushtarak kundër një baze ajrore në Siri, prej ku nisi sulmi kimik. Është në interesin jetik të sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të parandalojë dhe mos lejojë përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike vdekjeprurëse”.
“Nuk mund të ketë asnjë dyshim se Siria ka përdorur armë kimike të ndaluara, duke shkelur detyrimet e saj ndaj Konventës mbi armët kimike, si dhe ka injoruar udhëzimet e Këshillit të Sigurisë së OKB-së. Vite të tërë përpjekje për të ndryshuar sjelljen e Assadit kanë dështuar, dhe kanë dështuar në mënyrë shumë dramatike. Si pasojë, kriza e refugjatëve vazhdon dhe rajoni është i destabilizuar, duke kërcënuar kështu SHBA dhe aleatët e vet. Këtë mbrëmje u bëj ftesë gjithë kombeve civile që të bashkohen me ne, në përpjekjen për t’i dhënë fund masakrës dhe gjakderdhjes në Siri, si dhe për t’i dhënë fund terrorizmit, të të gjithë llojeve”, theksoi presidenti amerikan.
Trump me këshillat e gjeneralëve lëshoi një sinjal të fortë: “mjaft me dobësinë e Uashingtonit, atë të epokës Obama, nga e cila shumëkush ka përfituar deri sot”.
Amerika rikthehet protagoniste.
Raketat kundër bazës ajrore siriane janë vetëm një paralajmërim.
Trumpi nuk do të futet në një luftë dhe as nuk e ka ndërmend, pavarësisht dukjes, që të ndërpresë dialogun me Rusinë.
Por duke përplasur grushtet në tryezë, po kërkon të përcjellë mesazhin se “muzika” ka ndryshuar.
Sulmi ishte edhe një mesazh drejtuar Rusisë, që tani duhet të vendosë nëse do sfidojë amerikanët, apo do punojë se bashku me ta për të mundur terroristët, stabilizimin e vendit dhe për të bindur Assad të largohet.
Sulmi është edhe një mesazh për Korenë e Veriut, pikërisht në një ditë kur presidenti Trump po takon kolegun kinez Xi.
Linja ka ndryshuar: forca kthehet të jetë një instrument që Uashingtoni do e përdorë aty ku politika dhe diplomacia nuk munden.
Asgjë nuk do të jetë si më parë. Dhe të gjithë, Kina, Rusia dhe Irani, janë të paralajmëruar. /TiranaObserver/