3.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Amerika “ia ngreh veshin”Kosovës, kujdes me armatimin që ua dhuruam

Ambasada e Amerikës në Kosovë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të mos e shpërndajë te forcat e sigurisë armatimin e dhuruar nga ky shtet, pa konsultim paraprak me ambasadën. Gazeta Insajderi, e ka siguruar dokumentin që në formë të notës diplomatike i është dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në këtë dokument përmendet ligji “Leahy”, dhe dy dispozita në të, të cilat ia ndalojnë qeverisë amerikane t’i përdorë fondet për ndihmë njësive të huaja të sigurisë kur ka informacione të besueshme dhe implikime se ato njësi kanë bërë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Me 18 tetor të këtij viti, Ambasada e Amerikës në Kosovës ka dërguar një kërkesë në formë të notës diplomatike, tek Ministria e Punëve të Jashtme, në lidhje me armatimin që Kosova ka pranuar nga ky shtet.

Përmes kësaj note i kërkohet insitucioneve që të mos shperndajnë armatimin te forcat e sigurisë në Kosovë pa një konsultim paraprak me ta.

Këtë dokument e ka siguruar Gazeta Insajderi, në të cilin thuhet se kërkesa bazohet në ligjin e vitit 1961 njohur si “Leahy”.  

Ligji “Leahy” i cituar në notën diplomatike, u referohet dy dispozitave të cilat ia ndalojnë qeverisë amerikane t’i përdorë fondet për ndihmë njësive të huaja të sigurisë kur ka informacione të besueshme dhe implikime se ato njësi kanë bërë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut (GVHR).

Kjo dispozitë ligjore zbatohet për Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Mbrojtjes.

“Në lidhje me këto diskutime, Ambasada propozon që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës të pajtohen që, pa pëlqimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Republikës e Kosovës nuk do të ofrojë asnjë ndihmë që merr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas Aktit të Ndihmës së Jashtme të vitit 1961 ose Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve, apo legjislacionit pasardhës, asnjë njësie të forcës së sigurisë të Republikës së Kosovës të cilën Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka identifikuar Republikën e Kosovës përmes kanaleve diplomatike si të ndaluar për të marrë një ndihmë të tillë sipas nenit 620 të Aktit të Ndihmës së Jashtme të vitit 1961, i njohur si ligji ‘Leahy’”, thuhet në notën diplomatike që ka siguruar Insajderi.

Kjo notë diplomatike sipas ambasadës do të shëndrrohej në marrëveshje nëse si propozim është i pranueshëm edhe për Qeverinë.

“Nëse propozimi i mësipërm është i pranueshëm për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ambasada propozon që Ministria e Punëve të Jashtme ta vërejë këtë efekt dhe ky notë do të përbëjë marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikë, e cila do të hyjë në fuqi në datën e shënimit të Ministrisë”.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës mund ta ndryshojnë këtë marrëveshje me shkrim. Marrëveshja e tillë mund të ndërpritet në çdo kohë nga secila Qeveri me njoftimin me shkrim nëntëdhjetë (90) ditë përpara qeverisë tjetër”, shkruan në notën diplomatike të ambasadës.

Kujtojmë se në muajin gusht të këtij viti, Forca e Sigurisë së Kosovës, ka pranuar 55 automjete ushtarake të cilat i kanë dhuruara Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lidhur me këtë çështje Ambasada Amerikane në Prishtinë nuk ka dhënë përgjigje.

Por burime brenda këtyre zhvillimeve kanë thënë për gazetën se ky është një mesazh standard që u dërgohet ministrive në vendet që kanë marrëdhënie diplomatike me SHBA-në.

“Nuk ka asgjë të re në lidhje me protokollin që përfshin Ministrinë e Mbrojtjes dhe Qeverinë e SHBA-së. Në lidhje me Shitjet Ushtarake të Jashtme të armëve të SHBA-së, ju lutemi vini re se është një standard dhe jo asgjë e re që në të gjitha shitjet e armëve të SHBA-së qeveria e huaj bie dakord për kufizime në rishitjen ose ripërdorimin pa marrë pëlqimin e SHBA-së për ta bërë këtë”, ka thënë burimi.

“Ligji “Leahy” i Departamentit të Shtetit u bë i përhershëm sipas nenit 620 të Aktit të Ndihmës së Jashtme të vitit 1961. Qeveria e SHBA-së e konsideron torturën, vrasjen pa gjyq, zhdukjen e detyruar dhe përdhunimin nën ngjyrën e ligjit si GVHR- kur zbaton ligjin “Leahy”. Incidentet shqyrtohen në bazë të fakteve specifike. Ligji “Leahy” i Departamentit të Shtetit ka një përjashtim që lejon rifillimin e ndihmës për një njësi nëse Sekretari i Shtetit vendos dhe i raporton Kongresit se qeveria e vendit po ndërmerr hapa efektivë për të sjellë para drejtësisë anëtarët përgjegjës të njësisë së forcave të sigurisë”, tha burimi.

Gazeta Insajderi, lidhur me këtë çështje ka kërkuar përgjigje nga Qeveria, Ministria e Jashtme dhe Ministria e Forcës së Sigurisë, mirëpo deri në publikimin e shkrimit nuk kanë kthyer përgjigje.

Kosova me nivel të lartë të korrupsionit në sektorin e mbrojtjes, rrezikohen shpresat për një ushtri profesionale

Transparency Internacional Defence & Security ka publikuar Indeksin e Integritetit të sektorit të Mbrojtjes (GDI), sipas të cilit Kosova ka shënuar 42 pikë nga 100 e që e bënë të radhitet në mesin e vendeve me rrezik të lartë të korrupsionit në këtë sektor.

Këto të dhëna i ka bërë publike Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

“Në bazë të 75 treguesve, të cilët janë marrë për bazë për matjen e këtij indeksi Kosova ka shënuar në total 42 pikë nga 100, që e bënë Kosovën të radhitet në rangun e lartë të korrupsionit apo të rrezikut për korrupsion në rajon”, tha Diana Metushi Krasniqi nga KDI.

“Mirëpo qëndrojmë mjaftë ulët sa i përket preventivës apo masave kundër korrupsion në operacionet ushtarake në mungesë të politikave në adresimin e rrezikut, ndonëse Kosova ende nuk merr pjesë në operacion ndërkombëtar. Dhe, përfundimisht në prokurimin publik ka marrë 37 pikë nga 100 pikët totale”, tha ajo.

Dështimi për të korrigjuar këto çështje, sipas saj, mund të bëjë që shpresat e kosovarëve për një ushtri kombëtare profesionale të shuhen.

Përmes menaxhimit të keq financiar dhe korrupsionit, mund të dëmtohen në mënyrë të pariparueshme ambiciet në rritje rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës.

 Dështimi për të korrigjuar këto çështje mund të bëjë që të shuhen shpresat e kosovarëve për një ushtri

“Sipas këtij indeksi, dështimi për të korrigjuar këto çështje mund të bëjë që shpresat e kosovarëve për një ushtri kombëtare profesionale të shuhen përmes menaxhimit të keq financiar dhe korrupsionit, i cili mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme ambiciet për rritjen rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës”, shtoi ajo. /Gazeta Insajderi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img