3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Ambasadorja turke Kiliç, organizata FETÖ është e rrezikshme edhe për Kosovën

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, duke reaguar kundër tentativës për grusht shteti në Turqi, ka theksuar se zyrtarët e Kosovës duhet të kuptojnë që organizata, siç e cilëson ajo, terroriste FETÖ, e cila qëndron prapa tentativës, është shumë e rrezikshme edhe për vendin e tyre.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kiliç foli rreth tentativës së dështuar më 15 korrik, për gjendjen e tashme pas tentativës, si dhe për rrezikun që i kanoset vendeve të botës ku, sipas saj, organizata terroriste FETÖ ka shtrirë aktivitetin e saj.
Ambasadorja Kiliç në fillim të fjalimit të saj u shpreh se ata që e kanë kryer këtë akt, duke përdorur tanket, helikopterët e armët e shtetit, të cilët janë dhënë për ta mbrojtur popullin nga armiqtë, janë të pabesë dhe tradhtarë të mëdhenj. Ajo bëri të ditur se këta ishin vetëm një grup, i cili ishte i udhëhequr nga FETÖ, të cilët, sipas saj, ‘i kishin dhënë mendt me qira’ dhe se assesi nuk duhet të përgjithësohen me Forcat e Armatosura Turke.
Ambasadorja theksoi se Turqia ende përballet me grupet terroriste si PKK dhe DAESH dhe se ushtarët e shenjtë të Forcave të Armatosura luftojnë terrorizmin në mënyrë intensive. Ajo duke vënë në dukje se ushtarët turq gjithashtu mbrojnë paqen në vende të ndryshme, si në Afganistan, Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë, shtoi që mburret me Forcat e Armatosura të shtetit turk.
“Kjo tentativë për grusht-shteti u bë nga një grup të cilët i shohim me uniforma të Forcave të Armatosura, e që janë të lidhur drejtpërdrejt me organizatën terroriste FETÖ. Falë Zotit kjo tentativë u parandalua nga vullneti i popullit dhe nga solidariteti i të gjithë partive politike dhe mediave, ku në fillim duhet të përmendet populli i cili me thirrjen e Presidentit doli nëpër rrugë t’u dalin ballë tankeve dhe duke marrë të gjitha rreziqet qëndruan pranë demokracisë dhe të së ardhmes së tyre”, u shpreh ambasadorja Kiliç.
Kiliç u shpreh se anëtarët e kësaj organizate të rrezikshme kanë depërtuar në shumë institucione të vendit. Ajo bëri të ditur se tani shteti turk po mundohet që t’i nxjerrë në shesh anëtarët e organizatës FETÖ dhe të pastrojë institucionet vendore për të mundësuar që populli të jetojë në një vend ku mbizotëron solidariteti.
Duke vënë në pah se asgjë nuk mund të jetë më i lartë se vullneti i popullit, ajo theksoi që populli nuk kishte në dorë pushkë e armë, por kishte fuqinë e besimit dhe vullnetin e patundur për ta mbrojtur demokracinë.
Ambasadorja ka theksuar se kjo ngjarje ka dëshmuar se sa e përgjakshme mund të jetë organizata FETÖ. Ajo theksoi se të gjithë miqtë dhe aleatët e shtetit turk duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun që paraqet kjo organizatë.
Duke vënë në dukje se këto nuk përjetohen as nëpër luftëra, u shpreh se me këtë rast të gjithë e panë se çfarë mund t’i bëjë kjo organizatë popullit të vet të pafajshëm, e cila pa asnjë arsye dhe pa dhembshuri, ka mundur t’i drejtojë armë dhe ta vrasë popullin, ta bombardojë Kuvendin e Presidencën.
“Kjo organizatë është aktive në gjithë botën. Ne biseduam për këtë me aleatët dhe miqtë tanë sepse kjo tentativë për grusht shteti nuk i është dedikuar vetëm Turqisë por gjithë botës demokratike. Ky është një sulm kundër gjithë qeverive, parlamenteve dhe përfaqësuesve të popullit të zgjedhur në mënyrë demokratike. Këtë nuk duhet ta shohim vetëm si një sulm specifik kundër Turqisë. Kjo organizatë është aktive nëpërmjet shumë organizatave të ndryshme nëpër botë. Ne bëjmë thirrje vendeve miq, se tanimë duhet të shqetësohen për praninë e një organizate kaq të rrezikshme në trojet e tyre”, u shpreh Kiliç.
Duke vënë në dukje se organizata FETÖ është në gjendje të bëjë çmos për t’i arritur qëllimet e veta dhe se këtë e kanë dëshmuar duke sulmuar popullin e vet, Kiliç u shpreh se kjo organizatë është aktive edhe në Ballkan, por edhe në Kosovë. Ajo vuri theksin se në këto ditë të errëta Turqia dëshiron t’i shohë miqtë pranë tyre.
“Miqtë në këto ditë të errëta duhet të tregojnë se janë pranë njëri-tjetrit. Ne e presim këtë, dhe presim që kjo mos të bëhet vetëm me fjalë, por me vepra dhe me qëndrimin e tyre. Siç thashë ata janë aktivë edhe në Ballkan e edhe në Kosovë. Unë si tek të gjithë vendet mike, bëj thirrje edhe tek zyrtarët e Kosovës që të kuptojnë se sa e rrezikshme mund të jetë kjo organizatë për trojet e tyre. Ne shprehim pritjen që ata të mos i mbyllin sytë tek institucionet që veprojnë si vazhdimësi të kësaj organizate terroriste”, u shpreh Kiliç.
Ambasadorja Kiliç u shpreh se Kosova me Turqinë kanë marrëdhënie shumë të mira, si në aspektin ekonomik ashtu edhe kulturor. Ajo theksoi se Turqia do të jetë gjithmonë mbështetëse e Kosovës në procesin e integrimit në BE. Ajo u shpreh se për ta mundësuar shpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, Turqia ka ofruar nënshkrimin sa më të shpejtë të marrëveshjes për Ripranim, e cila ka qenë një prej kritereve të këtij procesi.
Në fund Kiliç bëri të ditur se tani në Turqi gjithçka është kthyer në jetën normale dhe se të gjithë ata që dëshirojnë të udhëtojnë në Turqi, si për vizita turistike, ashtu edhe për marrëdhënie tregtare mund ta bëjnë këtë pa asnjë shqetësim. Ajo theksoi se gjendja e jashtëzakonshme 3 mujore ka të bëjë vetëm me shpejtimin dhe rritjen e efikasitetit në procesin e eliminimit të pjesëtarëve të organizatës FETÖ, nga institucionet e shtetit turk.
 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img