Ambasadorja e Izraelit në Prishtinë, Tamar Ziv, iu është kundërpërgjigjur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, lidhur me bombardimin e spitalit në Gaza, ku ka theksuar se Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë konfirmuar se “Xhihadi Islamik” është përgjegjës për raketën që goditi spitalin.
Më herët, presidentja e Kosovës ka deklaruar në rrjetin social “X” se është shkatërruese të shohësh qindra viktima civile pas bombardimit të një spitali në Gaza, mes të cilëve gra dhe fëmijë, duke theksuar se duhet të mbrohen jetët e pafajshme.
Ambasadorja Ziv i është përgjigjur postimit të Osmanit edhe në rrjetin social “X”.
“Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) kanë konfirmuar se ‘Xhihadi Islamik’ është përgjegjës për raketën që goditi spitalin në Gaza. IDF vazhdon përpjekjet e saj për të mbrojtur civilët e pafajshëm nga rreziku”, tha ambasadorja e Izraelit në Kosovë.