Site icon PrishtinaPress

Ambasadorja greke në Beograd: Qëndrimi i Athinës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar

Ambasadorja e Greqisë në Beograd, Maria Levanti, tha se qëndrimi i vendit të saj “për çështjen e njohjes së Kosovës mbetet i pandryshuar, si dhe se Greqia e mbështet fuqishëm Serbinë në çështjen e integrimeve evropiane”.

Në një intervistë për portalin “balkantravel.rs“, ajo ka folur edhe për projektet e reja që kanë të bëjnë me lidhjen energjetike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Deklaratës se Greqia është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, por vitin e kaluar në media u spekulua për një ndryshim eventual të statusit, ajo u përgjigj se qëndrimi i Greqisë për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar.

“Qëndrimi ynë për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Kjo u konfirmua në nivelin më të lartë gjatë vizitës së fundit të presidentes së Republikës së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, në Serbi”, tha ambasadorja greke.

“Greqia konsideron se Serbia është një faktor me rëndësi strategjike për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e gjerë. Në këtë këndvështrim, Greqia ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur dhe e zëshme për integrimin e Serbisë në BE, duke besuar fuqishëm se ajo është vendi natyror i Serbisë. Përveç kësaj, Greqia është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë teknike dhe praktike për përpjekjet e Serbisë për anëtarësim në BE, nëse është e nevojshme”, shtoi ajo.

Greqia, bashkë me Spanjën, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Exit mobile version