Site icon PrishtinaPress

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë shpërndan një video: S’po luftojmë kundër popullit palestinez, por kundër terroristëve të Hamasit

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv ka publikuar një video, duke shkruar se “Izraeli nuk po lufton kundër popullit palestinez” por “po lufton terroristët e Hamasit”.

Ziv shkroi në “X” se “e gjithë bota duhet të ngrihet për t’i denuar terroristët e Hamasit”.

“Izraeli nuk po lufton kundër popullit palestinez. Izraeli po lufton terroristët e Hamasit. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjet barbare të papërfytyrueshme të fëmijëve, grave dhe pleqve të pafajshëm. Asgjë nuk mund ta justifikojë përdorimin e palestinezëve në Gaza si mburoja njerëzore. Pothuajse 600 raketa të hedhura nga Hamasi në drejtim të Izraelit ranë në Gaza, duke përfshirë spitalin Al-Ahli, duke vrarë palestinezë të pafajshëm. E gjithë bota duhet të ngrihet për të dënuar terroristët e Hamasit”, shkroi ambasadorja izraelite.

Izraeli, përmes ambasadores Ziv është shprehur shumë mirënjohës ndaj Kosovës – shtetit me të cilin lidhi marrëdhënie diplomatike para pak kohësh – që deklaroi mbështetjen e tij të plotë për të, duke dënuar sulmin e Hamasit.

Kosova kështu po qëndron në anën e Perëndimin.

Ambasadorja Ziv ka thënë para disa ditësh se janë “thellësisht të prekur e mirënjohës nga mbështetja e palëkundur e te shkëlqyeshme që kemi marrë nga miqtë tanë në Kosovë, duke përfshirë partitë në pushtet dhe në opozitë, si dhe nga njerëzit nga të gjitha shtresat kemi marrë mesazhe mbështetëse”.

Exit mobile version