3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Ambasadorja amerikane në OKB: Kosova dhe Serbia urgjentisht ta zbatojnë marrëveshjen

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas Greenfield, në takime të ndara me krerët e diplomacisë së Kosovës dhe Serbisë, u ka bërë thirrje të dyja vendeve që ta zbatojnë menjëherë marrëveshjen e arritur për normalizim të raporteve.

Në Nju Jork, më 26 prill, një ditë para seancës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Greenfield ka biseduar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq. Paraprakisht, më 25 prill, ajo ishte takuar me zëvendëskryeministren e Kosovës dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë aktive për mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në përmbushjen e obligimeve të tyre në arritjen e marrëdhënieve të parashikueshme dhe paqësore, i tha Thomas-Greenfield ministrit serb, transmeton REL.

Ajo theksoi “sa e rëndësishme është që të dyja palët të zbatojnë urgjentisht angazhimet e dala nga marrëveshja historike, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin” që arritën, sipas deklaratës nga zëdhënësi i misionit amerikan në OKB, Nate Evans.

Gjithashtu shtohet se ambasadorja amerikane dhe shefi i diplomacisë serbe kanë biseduar edhe për rëndësinë e partneritetit afatgjatë mes SHBA-së dhe Serbisë.

Siç njofton MPJ-ja e Serbisë, Daçiq, gjatë bisedës me ambasadoren amerikane ka theksuar se Serbia do të mbajë qëndrim konstruktiv sa i përket propozimit evropian dhe zbatimit të planit të veprimit për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Prishtinën.

Përsëri, megjithatë, ka vija të kuqe për Serbinë nga të cilat ajo nuk do të heqë dorë. Ai, po ashtu, ka theksuar se për Serbinë puna e UNMIK-ut në kapacitetin e tij të plotë është e një rëndësie të madhe, duke pasur parasysh situatën e ndjeshme në Kosovë.

Shefi i diplomacisë serbe tha, gjithashtu, se shpreson që vizita e sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, në Serbi të realizohet në periudhën e ardhshme.

Paraprakisht, më 25 prill, në një bisedë me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield bëri thirrje për zbatimin urgjent të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim, thuhet në deklaratën e zëdhënësit e misionit të SHBA-së në OKB, Nate Evans.

Është bërë e ditur se ambasadorja amerikane dhe ministrja kosovar kanë biseduar për “partneritetin afatgjatë mes SHBA-së dhe Kosovës”.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit, rolin e OKB-së në Kosovë dhe për forcimin e mëtejmë të raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së. Mirënjohës për mbështetjen e palëkundur dhe të qëndrueshme nga partnerët tanë amerikanë”, shkroi në Twitter Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës lidhur me takimin e kryedipomates kosovare me ambasadoren amerikane.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img