Komisioni për Integrime Evropiane, i prirë nga Rrezarta Krasniqi, kryetare e këtij Komisioni, priti sot në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me të cilin u bisedua lidhur me prioritetet që do të ketë Suedia si kryesuese e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Bëhet e ditur se Krasniqi, vuri në spikamë raportet e mira ndërshtetërore, dhe e falënderoi ambasadorin Westerlund, si dhe shtetin që ai përfaqëson, për ndihmën dhe kujdesin e treguar ndaj Kosovës, në të gjitha fazat e zhvillimit të saj.
Në vijim të takimit, kryetarja e Komisionit Krasniqi, foli për angazhimet dhe prioritet e politikës së jashtme të vendit.
Me këtë rast, ajo përshëndeti vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së në favor të liberalizimit të vizave, ndërkaq, nënvizoi përpjekjet e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe domosdoshmërinë që vendi ynë të përfshihet në Partneritetin për Paqe, në kuadër të NATO-s.
Po ashtu, kryetarja Krasniqi, foli edhe për rëndësinë e njohjes së shtetësisë së Kosovës edhe nga 5 shtetet e BE-së, të cilat akoma nuk e kanë bërë këtë, dhe kërkoi që Suedia si shtet mik i Kosovës, të ushtroj ndikimin e saj.
Ambasadori Westerlund, nga ana e tij, fillimisht i falënderoi nikoqirët për pritjen e ngrohtë, ndërkaq, u fokusua te agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës.
Lidhur me këtë ai u shpreh se Rusia me luftën e nisur ndaj Ukrainës ka shkaktuar gjendje të pa sigurisë, dhe se qëllimi i saj është :” Të vendosë një rend të ri të sigurisë në Evropë”.
Në vijim të fjalës së tij, ambasadori Westerlund, përshëndeti qëndrimin e Kosovës për të qenë në harmoni të plotë me politikën e jashtme të shteteve të BE-së.
Pas kësaj, ai bëri të ditur prioritetet që do të ketë presidenca e BE-së nën kryesimin e Suedisë.
Siguria, tha ambasadori Westerlund, do të jetë prioriteti i parë, ndërkaq, konkurrenca brenda shteteve të BE-së, tranzicioni i gjelbër i energjisë, si dhe sundimi i ligjit, do të jenë prioritet e më pastajme të presidencës nën kryesimin e Suedisë, bëri të ditur ai.
Në fund të fjalës së tij, ambasadori suedez Westerlund, u shpreh se mbështetja e Suedisë për Kosovën do të vijojë edhe në të ardhmen.
Pas kësaj, folën edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, të cilët po ashtu falënderuan ambasadorin Westerlund, për angazhimet e tij në avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.