Site icon PrishtinaPress

Ambasadori suedez pas ngjarjeve në Veri: Do të përqendrohemi më shumë në normalizim të dialogut

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, u deklarua rreth zhvillimeve të djeshme në veri të vendit.

Westerlund theksoi se fokusimi duhet të jetë në normalizimin dhe fillimin e dialogut mes dy palëve.

“Incidentet e djeshme që kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës, do të përqendrohemi më shumë në normalizimin dhe fillimin e dialogut atje dhe fokusimi po ashtu duhet të jetë në atë pikë”, tha Westerlund.

Këto komente Westerlund i bëri pas takimit që kishte me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, bashkë me 19 ambasadorë të tjerë të huaj të akredituar në Republikën e Kosovës, me të cilët do të zhvillohet edhe një shëtitje në qytetin e Prizrenit.

Suedia, aktualisht e ka presidencën e Bashkimit Evropian.

Ndryshe, pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar dje (26 maj) nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë dënuar veprimet e Qeverisë Kosovës, duke kërkuar që të ulen tensionet.

Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

Exit mobile version