Ambasadori rus në Beograd Alexandar Botsan Kharchenko ka publikuar një postim në Twitter ku shpreh “brengën” e tij për të drejtat e serbëve në, siç e ka quajtur ai, “krahinën e Kosovës”.
“Papritmas lind pyetja se pse nuk u formua kjo strukturë vendimtare për sigurimin e të drejtave dhe sigurisë së serbëve të “krahinës”. Përgjigja është shumë e thjeshtë: nuk ka Asociacion, sepse as BE dhe as SHBA nuk kanë ushtruar ndikimin e “nevojshëm” ndaj Kosovës gjatë gjithë kësaj kohe. Situata të kujton shumë qasjen kolektive të Perëndimit ndaj marrëveshjeve të Minskut për Ukrainën”, ka shkruar Bochan Kharchenko në Twitter.
Ambasadori amerikan Christopher Hill, për dallim nga ky pretendim, ka deklaruar se Asociacioni do të formohet, ndërsa populli serb, shtoi ai, duhet të ketë besim në marrëveshjet sepse pasi të nënshkruhen, duhet të jenë të sigurt se ato do të zbatohen, shkruan portali serb Kossev.
Mirëpo, mesazhet e Beogradit janë se nuk ka zbatim të marrëveshjes së fundit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa formimin paraprak të Asociacionit, duke cituar disa dokumente të mëparshme të Brukselit, ndërsa pala kosovare kryesisht i referohet nenit 7 të marrëveshjes së fundit, duke theksuar se vetëqeverisja për serbët në Kosovë nuk i referohet Asociacionit, dhe se cilido organ të formohet, ai nuk do të ketë vetëqeverisje territoriale.
Disa muaj më parë, SHBA konfirmuan se kontributi i tyre në ripërtëritjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë pikërisht formimi i Asociacionit, ndërsa me rastin e negociatave për aneksin për zbatimin e një pjese të marrëveshjes së re, u theksua se menjëherë duhet të zbatohet i Neni 7, gjegjësisht vendosja e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar në nivel të duhur vetëqeverisje për komunitetin serb në Kosovë./PrishtinaPress/