1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Ambasadori i Ukrainës në Serbi: Qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë se Ukraina i është mirënjohëse Kosovës për ndihmën që i ka dhënë, por ka shtuar se qëndrimi i saj për Kosovën nuk ka ndryshuar.

Tolkach duke folur për televizionin publik, ka thënë se Ukraina ka qëndrim parimor se duhet respektuar integriteti territorial dhe sovraniteti.

“Ne kemi qenë gjithmonë të qëndrueshëm në politikën e jashtme dhe gjithmonë kemi mbështetur çdo vend brenda kufijve që njihen ndërkombëtarisht”, thotë ambasadori i Ukrainës.

“Nga ana tjetër, Ukraina së bashku me vendet e tjera evropiane u përpoqën të ndalonin luftërat e përgjakshme në këtë rajon, siç ishte ajo e vitit 1999, por përpjekjet tona nuk mjaftuan”, rikujtoi diplomati ukrainas.

“Prandaj sot jemi mirënjohës për mbështetjen që Kosova i jep Ukrainës, por në të njëjtën kohë ritheksojmë qëndrimin tonë parimor se duhet respektuar integriteti territorial dhe sovraniteti”, tha ambasadori Tolkach.

“Në të njëjtën kohë, kush mund të jetë në të vërtetë mosmirënjohës për ndihmën që vjen nga çdo anë në formën e dhembshurisë, humanizmit, për çdo ndihmë të dhënë, çfarëdo vendi, territori apo pjesë që mund të jetë”, thekson ai, për RTK.

Duke folur për temën aktuale të tensioneve të fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mundësinë e vazhdimit të dialogut mes dy vendeve, ambasadori ukrainas tha se gjëja më e rëndësishme është të kërkohet një kompromis.

“Nga pozita e Ukrainës, ne kemi ndjekur rrugën e kompromisit duke mbrojtur vendin tonë për 23 vjet, por siç e shihni, ne nuk kemi mundur t’i shmangemi kësaj lufte të përgjakshme”, tha ai, duke tërhequr paralele mes marrëdhënieve të vendit të tij dhe Rusisë me ato mes Kosovës e Serbisë.

“Dhe sa i përket kompromisit, unë nuk e di nëse mund të arrihet, por nga ana tjetër duhet kërkuar një kompromis deri në momentin e fundit”, deklaron ambasadori ukrainas.

“Kushdo që harron se jeta njerëzore është pasuria më e madhe, herët a vonë do të vuajë sepse ne shohim se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe nuk do të ishte mirë që diçka e tillë të përsëritej”, shtoi ai.

Ambasadori është i bindur se vetëm vlerat evropiane dhe afrimi me BE-në, e mbrojnë rajonin nga ndikimi i rrezikshëm rus, duke shtuar se Rusia dëshiron të shkatërrojë Ukrainën.

“Sot kur mbrojmë territorin e Ukrainës, nuk po mbrojmë vetëm vendin tonë, por gjithë Evropën dhe vlerat që ajo sjell”.

“Prej tetë vitesh në Ukrainë është bërë një luftë pikërisht për vendin tonë, për sovranitetin dhe integritetin”, tha ambasadori.

Sipas tij, këtu në ekspozitë mund të shihni pasojat e asaj lufte të përgjakshme.

“Ajo që bëri Putin në Ukrainë e vuri në pikëpyetje ekzistencën e shtetit tonë dhe neve si komb”, tha ambasadori Tolkach.

Duke iu referuar çështjes së sanksioneve që BE-ja dhe Perëndimi po kërkojnë nga Serbia që t’i vendos Rusisë, ambasadori Tolkach thotë se do të ishte mirë që Serbia të mbrojë vlerat evropiane së bashku me Ukrainën.

“Ukraina dhe Serbia kanë një qëllim të përbashkët, që është integrimi në BE”, tha ai.

“Nuk mund të pres dhe të insistoj që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por do të ishim mirënjohës nëse qeveria e re e Serbisë do të shkonte me ne në rrugën që kemi zgjedhur bashkërisht, rruga e BE-së”, theksoi ambasadori ukrainas.

“Ne sapo jemi bërë kandidate për anëtarësim në BE, Serbia ka kohë që është kandidate, dhe do të ishte shumë mirë ta mbronim atë rrugë me përpjekje dhe përpjekje të përbashkëta”, theksoi Tolkach.

“Nëse Serbia udhëheq të njëjtën politikë që ne e udhëheqim, që janë çështje që të çojnë në BE, ne do t’i jemi mirënjohës”.

I pyetur se sa mendon që është i mundur destabilizimi në rajon, për shkak të propagandës ruse, ambasadori Volodymyr Tolkach, thotë se rreziku është real.

“Sa i përket propagandës ruse, mund të themi se është propagandë e luftës dhe e vrasjes së gjithë asaj nga çka po e mbrojmë Evropën sot”, tha ai.

“Të gjitha rajonet e vendosura brenda mundësive të një rakete ruse janë në rrezik. Sepse sa më shpejt që njerëzit të fillojnë të promovojnë vlerat evropiane, aq më shpejt rajoni do të jetë në një zonë të sigurt”, tha për RTK-në, ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach.

Ukraina mbetet një nga vendet që edhe më tej nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img