Zgjidhja e çështjeve të hapura politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndihmonte të dyja shtetet në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës, ku komunitetet e biznesit duhet të luajnë rolin e tyre në përmbylljen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet të dyja vendeve. Kjo u tha sot gjatë një takimi të të Dërguarit të Posaçëm Presidencial për Negociatat e Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ambasadorit Richard Grenell me përfaqësuesit e biznesit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Ambasadori Richard Grenell theksoi se Administrata e Presidentit Trump është shumë e fokusuar në krijimin e vendeve të punës nga bizneset amerikane, duke cekur që komuniteti i biznesit është pjesa më e rëndësishme e zgjidhjes së problemit Serbi-Kosovë.
Ai tha se presidenti Trump e ka inkurajuar atë që të përpiqet ta bartë energjinë e Administratës Trump në dialogun Serbi-Kosovë, sepse afaristët do të jenë ata të cilët do të krijojnë ngazëllim, mundësi për vende të reja të punës, dhe rrjedhimisht do t’u japin të rinjve arsye për të qëndruar në Kosovë, transmeton Telegrafi.
Ai theksoi se është roli i bizneseve të zgjidhin problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se politikanët duhet të lëshojnë rrugë në këtë aspekt, duke shtuar se ideja e tij e fluturimeve komerciale Kosovë-Serbi ka buruar nga një takim i ngjashëm me biznese.
Ai falënderoi Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë për të kuptuarit që nga fillimi të rëndësisë së krijimit të vendeve të reja të punës.
Në fund, Ambasadori Grenell inkurajoi të gjitha palët të shikojnë kah e ardhmja në vend të së kaluarës, duke shtuar që komunitetet e biznesit në Kosovë dhe në Serbi po krijojnë një të ardhme më të mirë për popujt në të dyja shtetet.
Liderët afaristë të Odës Amerikane theksuan rëndësinë e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të hapte perspektivat e zhvillimit ekonomik, duke përfshirë zgjidhjen e të gjitha barrierave tregtare si dhe çështjet e tjera që lidhen me transportin, të cilat do të përfshinin por nuk do të kufizoheshin vetëm në lidhjen me autostradë dhe hekurudhë ndërmjet dy shteteve, si dhe funksionalizimin e menaxhimit të integruar kufitar dhe njohjen reciproke të dokumentacionit dhe procedurave.