Site icon PrishtinaPress

Ambasadori gjerman tregon si Kosova po humb afër 400 milionë euro nga mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde ka deklaruar se përderisa Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nevojiten shumë më tepër përpjekje për të zbatuar marrëveshjet dhe për të vazhduar dialogun konstruktiv me Serbinë.

Sipas tij, Gjermania në vazhdimësi ka ofruar ndihmë thelbësore për institucionet e Kosovës në zbatimin e reformave thelbësore të nevojshme për procesin e integrimit në BE, jo vetëm dypalëshe me rreth 800 milionë euro, por edhe me kontribute të konsiderueshme në programet IPA të BE-së.

“Jam veçanërisht i lumtur që shoh përparimin e Kosovës në sektorin e tyre digjital. Miratimi i strategjisë së E-Qeverisjes, zgjerimi i shërbimeve përmes E-Kosova dhe përpjekjet për uljen e barrës administrative po ua lehtësojnë jetën qytetarëve kosovarë. Përderisa Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, megjithatë nevojiten shumë më tepër përpjekje për të zbatuar marrëveshjet dhe për të vazhduar dialogun konstruktiv me Serbinë”, tha ai.

Ai ngriti si shqetësim edhe mos miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku tha se Kosova po humb afërsisht 400 milionë euro investime.

Tash e sa kohë,  partitë opozitare, PDK e AAK refuzojnë të votojnë për disa marrëveshje ndërkombëtare.

ekzekutivi ka bërë përpjekje në Kuvend për të siguruar votën pro për disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë investimesh miliona euro që po presin votimin dhe shqyrtimin nga ligjvënësit kosovarë.

Qeveria Kurti ka shumicën në Parlament për të miratuar ligjet që kalojnë me shumicë të thjeshtë, pasi ai drejton një kabinet të mbështetur nga 64 deputetë, përfshirë grupin multietnik.

Exit mobile version