Site icon PrishtinaPress

Ambasadori gjerman: Ndalimi i boksierëve kosovarë për të hyrë në Serbi është shembull i “Ballkanit të Mbyllur”

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, ka reaguar pas ndalimit të hyrjes së boksierëve kosovarë në Serbi.

Në një shkrim në Twitter, Rohde tha se sporti nuk duhet përzier me politikën dhe se ky refuzim është shembull i “Ballkanit të Mbyllur” dhe jo Ballkanit të Hapur.

Tutje ambasadori mbështeti zëdhënësin e BE-së Peter Stano, i cili tha se BE-ja mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara.

“Siç tha dje një zëdhënës i BE-së, “pajtimi afatgjatë midis shoqërive fillon me shkëmbime intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Shkëmbime të tilla janë thelbësore për ndërtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë.”

“Politizimi i sportit nuk është kurrë një ide e mirë. Parandalimi i pjesëmarrjes së boksierëve të Kosovës në @AIBA_Boxing shkon në drejtim të kundërt. Ky është fatkeqësisht një shembull i Ballkanit të mbyllur jo të hapur”, shkroi Ambasadori.

Të hënën gjatë ditës ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi.

Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë veprimin diskriminues të Beogradit.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, tha se Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Sipas tij, në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Ndryshe, Kosova është dashur të përfaqësohet nga tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.

Exit mobile version