Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Ilir Dugolli, ka reaguar ndaj deklaratave të anëtares së Kongresit, Claudia Tenney, e cila ka vlerësuar presidentin Aleksandër Vuçiq për dënimin e sulmit terrorist në veri, më 24 shtator.
Po ashtu, ajo në reagimin e saj i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që t’i përmbahet marrëveshjes së Brukselit të viti 2013-të dhe të krijojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ambasadori Dugolli e ka akuzuar kongresmenen Tenney për justifikimin e paturpshëm të këtij sulmi terrorist, ku humbi jetën një rreshter i policisë, Afrim Bunjaku.
Dugolli ka theksuar se në vend që të ekstradohen dhe ndiqen penalisht terroristët që po glorifikohen në Serbi, ata mbrohen, duke rikujtuar edhe rastin e vëllezërve Bytyqi, të cilët janë mbrojtur nga drejtësia për më shumë se dy dekada, ndërkohë që SHBA kanë bërë thirrje për veprime të menjëhershme në këtë drejtim.
“Në vend që të ekstradohen apo ndiqen penalisht, dhjetëra terroristë po glorifikohen dhe mbrohen në Serbi, ashtu si vrasësit e vëllezërve Bytyqi janë mbrojtur nga drejtësia për më shumë se dy dekada, pavarësisht thirrjeve të shumta nga SHBA për t’i zbatuar ata dhe premtimet e Vuçiqit për t’i bërë”, ka shkruar Dugolli.
“Sa i përket marrëveshjeve, ka pasur vetëm një palë që ka vepruar me mirëbesim dhe e përkushtuar për zbatimin e plotë të tyre, dhe kjo sigurisht që nuk është Vuçiq dhe Serbia e tij autokratike”, ka shkruar tutje Dugolli.
Ambasadori i Kosovës gjithashtu shprehu besimin se Kosova ka qëndruar besnikë ndaj marrëveshjeve dhe ka vepruar me mirëbesim për zbatimin e tyre, ndryshe nga Serbia e presidentit Vuçiq, e cila është cilësuar nga ana e tij si autokratike.