Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith, njoftoi rreth valës së parë të masave të ndërmarra nga Qeveria Britanike kundër disa shtetasve shqiptarë të lidhur me krimin dhe korrupsionin, duke thënë se politikanët shqiptarë nuk do të jenë të vetmit që të sanksionohen në rajon.
“Këtë javë Britania ka ndërmarrë vetëm hapat e parë të një sërë veprimesh, të cilat synojnë llogaridhënien dhe ndëshkimin, sepse është shumë e rëndësishme që të bëjmë diçka të tillë, tha ai në një intervistë për Tv Klan.
Tutje ambasadori tha se kjo fushatë nuk është vetëm për politikanët në Shqipëri, por edhe për shtetet tjera në rajon.
“Kjo është specifike për Ballkanin Perëndimor, është për të gjithë rajonin pasi ka probleme në lidhjet mes krimit dhe politikës. Ne duhet t’i thyejmë këto lidhje. Ajo çfarë ne do të bëjmë është që të përdorim këtë paketë masash. Ky është vetëm hapi i parë i disa veprimeve që do të ndërmerren. Ne kemi mjete të ndryshme, si për shembull sanksionet kundër korrupsionit, sanksionet financiare dhe ndalimin e emigrimit. Ky është vetëm hapi i parë që po ndërmarrim, ju do të shihni veprime të tjera me kohën”, u shpreh King-Smith.
“Unë dua ta siguroj publikun shqiptar që ne nuk kemi shënjestruar ndonjë parti politike, grup politik apo ndonjë grup tjetër. Kjo është një qasje e mirë ekuilibruar. Kjo qasje synon individët dhe lidhjet e tyre tejet të qarta me krimin dhe korrupsionin. Gjithashtu, qasja merr parasysh çdo rast individual nëse individët kontribuojnë në të mirën publike të Mbretërisë së Bashkuar”.
Sot, Sali Berisha njoftoi se ai është sanksionuar dhe shpallur “non-grata” nga Mbretëria e Bashkuar.