0.3 C
Pristina
Saturday, January 4, 2025

Buy now

spot_img

Ambasadori britanik: Mënyra se si Qeveria vendosi për veriun nuk ka ndihmuar gjithmonë, për këtë s’po hapet ura e Ibrit

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka folur në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit.

Ai ka theksuar se pas sulmit në Banjskë, krimineli Milan Radojiciq me grupin e tij, ende nuk janë mbajtur përgjegjës, derisa përmendi edhe sulmin në kanalin e Ibër Lepencit.

“Ngjarja më e rëndësishme në veri të Kosovës gjatë dy viteve të fundit ishte padyshim sulmi i tmerrshëm në Banjskë. Na tronditi të gjithëve duke nxjerrë në pah praninë e rrezikshme të grupeve të armatosura në veri të Kosovës. Është e papranueshme që, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Radoiçiq dhe autorët e tjerë të sulmit ende nuk janë mbajtur përgjegjës. Sulmi i fundit në kanal, megjithëse ende nuk e dimë se kush ishte përgjegjës, na kujton gjithashtu se sa e prekshme është infrastruktura kritike e Kosovës ndaj sulmeve në veri të vendit. Prandaj është e kuptueshme dhe e drejtë që Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, dëshiron të mbrohet nga të gjitha format e sulmeve, qoftë nga brenda apo jashtë Kosovës. Po ashtu është e drejtë që Kosova ka pritshmëri nga të gjithë ata që jetojnë brenda kufijve të saj që t’u përmbahen ligjeve dhe rregullave të Kosovës”.

Tutje, ai në këtë intervistë për ‘Express’, ka thënë se mënyra se si Qeveria vendosi për ndryshimet në veri, nuk ka ndihmuar gjithmonë në situatë.

Madje, ai ka thënë se shtimi i tensioneve dhe “dyshimet ndaj qëllimeve të shtetit të Kosovës ndaj serbëve”, janë një prej arsyeve pse hapja e urës së Ibrit, mbetet e paarritshme për momentin.

“Megjithatë, është në interesin e thellë të Kosovës që ata që jetojnë në Kosovë të ndihen të sigurt, të mbrojtur dhe të kenë besim për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Kosova duhet të jetë një shtet multietnik dhe ka mundësinë të jetë një shembull i shkëlqyer i integrimit të një pakice të rëndësishme dhe sensitive në mënyrë efektive. Jam i kënaqur që legjislacioni zgjedhor i Kosovës është zbatuar në mënyrë që serbët e Kosovës të përfaqësohen nga partia e zgjedhjes së tyre. Megjithatë, mënyra se si Kosova ka zgjedhur të sjellë ndryshime në veri të Kosovës – dhe në fakt në pjesën tjetër të Kosovës – në muajt e fundit nuk ka ndihmuar gjithmonë për të siguruar serbët e zakonshëm të Kosovës se mirëqenia e tyre do të mbrohet në Kosovën moderne. Ndryshimet e papritura në rregullat për përdorimin e valutës; mbyllja e institucioneve financiare dhe sociale nga të cilat varen familjet e zakonshme; shumë ankesa të pazgjidhura për ngacmime nga Policia e Kosovës: këto shembuj dhe të tjerë vetëm sa e shtojnë tensionin dhe dyshimet ndaj qëllimeve të shtetit të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës. Kjo është arsyeja pse disa hapa të tjerë, si hapja e urës në Mitrovicë, mbeten të paarritshme për momentin. Ura duhet të hapet – por në një kohë kur besimi mes komuniteteve është mjaftueshëm i fortë për të minimizuar rreziqet që mund të lindin si për serbët, shqiptarët e Kosovës, ashtu edhe për ushtarët e kombeve kontribuuese të NATO-s” – tha ambasadori britanik.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img