Site icon PrishtinaPress

Ambasadori Bencze konfirmon mbështetjen e Hungarisë për Kosovën, ofrohet kredi prej 62 milionë euro

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, priti sot në takim njoftues ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, József Bencze, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, veçmas në ekonomi dhe në arsim.

Në njoftimin për media thuhet se Hoti shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e përhershme që Hungaria i ka dhënë dhe po i jep vendit tonë.

Ai e njoftoi ambasadorin Bencze për prioritet e Qeverisë së Kosovës, parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë COVID–19, pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

Po ashtu, kryeministri Hoti foli edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Ndërsa, ambasadori Bencze riafirmoi mbështetjen e Hungarisë për Kosovën, duke ofruar kredi prej 62 milionë eurosh, e cila pritet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.

Po ashtu, në këtë takim, u diskutua edhe për organizimin e takimit të Këshillit ekonomik Kosovë – Hungari, si dhe për shkëmbimin e vizitave reciproke në nivel të lartë dhe nënshkrimin e Protokollit për bashkëpunim në fushë të arsimit.

Ndërsa, sa në fushën e arsimit, Hungaria më parë ka ndarë 75 bursa universitarë për studentët nga Kosova.

“Hungaria konsideron se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet për liberalizimin e vizave”, theksoi ndër të tjera ambasadori József Bencze, i cili e siguroi kryeministrin Hoti se Hungaria do të vazhdojë ta mbështesë edhe më tej agjendën e integrimit euro-perëndimor të Republikës së Kosovës.

Exit mobile version