Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka uruar Kosovën me rastin e 14 vjetorit të pavarësisë. I quan mrekulli të arriturat e vendit tonë në këto vjet. Hovenier thotë se partneriteti në mes të dy vendeve do të vazhdojë të forcohet.
“Të arriturat e Kosovës përgjatë 14 viteve të shkurta nuk janë asgjë më pak se mrekulli – demokraci e gjallë, ekonomi e aftë, si dhe lidership që Kosova e përçon përtej kufijve të saj”, thuhet në urimin e Ambasadorit.
“Përderisa e festojmë bashkërisht këtë ditë të shënuar, ju premtoj se partneriteti i qëndrueshëm që e gëzojmë në mes të dy vendeve tona – Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – do të vazhdojë vetëm të rritet në vitet e ardhshme”.
Urimi i plotë i ambasadorit Hovenier me rastin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
Kosova sot feston 14 vjet pavarësi – 14 vjet si vend sovran dhe si partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të arriturat e Kosovës përgjatë 14 viteve të shkurta nuk janë asgjë më pak se mrekulli – demokraci e gjallë, ekonomi e aftë, si dhe lidership që Kosova e përçon përtej kufijve të saj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që e quajmë Kosovën partnere dhe mike.
Partnerët i ndihmojnë njëri-tjetrit. Për këtë arsye ishin aq të lumtur që javën e shkuar patëm mundësinë të ndajmë edhe gjysmë milioni të dozave të sigurta, efektive në luftën tonë të përbashkët kundër Covid-19.
Gjithsej, populli amerikan i ka dhuruar më shumë se një milion doza të vaksinave dhe pothuajse 10 milionë dollarë ndihmë për t’ju mbajtur juve dhe familjeve tuaj të shëndetshëm dhe të sigurt.
Përderisa e festojmë bashkërisht këtë ditë të shënuar, ju premtoj se partneriteti i qëndrueshëm që e gëzojmë në mes të dy vendeve tona – Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – do të vazhdojë vetëm të rritet në vitet e ardhshme.
Si do ta bëjmë këtë? Së bashku!
Së pari, duke e mbështetur përparimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dëshirojmë të shohim Kosovën plotësisht të angazhuar në rajon dhe të integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Kjo do të thotë arritje të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbisë të përqendruar në njohjen e ndërsjellë PA sakrifikuar sovranitetin e Kosovës, integritetin e saj territorial apo shkelur Kushtetutën e saj.
Gjithashtu, nënkupton vazhdimin e mbështetjes së zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë shumetnike, forcë tokësore mbrojtëse të ndërveprueshme me NATO-n, e cila jo vetëm që është e aftë për të mbrojtur kufijtë e Kosovës, por që gjithashtu, ashtu siç tashmë e ka demonstruar, kontribuon në misionet e përbashkëta të sigurisë globale dhe mbështet reagim efikas ndaj fatkeqësive natyrore.
Së dyti, duke mbështetur përpjekjet drejt qeverisjes së mirë dhe duke forcuar edhe më tej institucionet e pavarura të sundimit të ligjit, ne dëshirojmë ta ndihmojmë Kosovën përderisa vazhdon të ndërtojë institucione publike të qëndrueshme, efikase që ofrojnë shërbime dhe ndajnë drejtësi në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët përderisa njëkohësisht çrrënjosin korrupsionin.
Së treti dhe në fund, do të vazhdojmë t’ju ndihmojmë përderisa ndërtoni ekonomi të qëndrueshme dhe dinamike. Një ekonomi që i jep përparësi diversifikimit të burimeve të energjisë dhe që ka furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike; që krenohet me një sektor të fortë privat; tërheq investime të huaja të drejtpërdrejta; mbron mjedisin; dhe ruan talentin inovativ.
Pra, sot, qëndrojmë përkrah Kosovës për të festuar me ju. Ju urojmë për të gjitha të arriturat dhe mirëpresim mundësitë për t’ju mbështetur përderisa i shfrytëzoni mundësitë që i keni përpara.
Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë!