Site icon PrishtinaPress

Ambasadori amerikan përshëndet vendimin e Qeverisë së Kosovës rreth pajisjeve 5G

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka përshëndetur vendimin e autoriteteve qeveritare në Kosovë, për të parandaluar përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e komunikimit.

Ky vendim i autoriteteve qeveritare në Kosovë është bërë i ditur nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, pas takimit me përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike.

Në këtë takim, kryeministri Hoti kishte potencuar rëndësinë e sigurisë kombëtare, ruajtjes së rendit publik, ruajtjes së kufirit shtetëror për funksionim të qëndrueshëm e të besueshëm përmes institucioneve përkatëse shtetërore dhe bashkërendimit të veprimeve ndër-institucionale.

Dhe lidhur me këtë, ambasadori Kosnett ka shkruar: “Ne e përgëzojmë Kosovën për sigurimin që rrjetet e saj 5G janë në një ‘rrugë të pastër’, jo nga shitës të pabesueshëm, në përputhje me Marrëveshjet e Uashingtonit. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt integrimit të sigurt të komunikimit rajonal dhe zgjerimit të ekonomisë dixhitale të Kosovës”.

Exit mobile version