Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE në Vjenë po vizitojnë sot Republikën e Kosovës në kuadër të turneut rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Grupi i ambasadorëve përbëhet nga ambasadorja franceze Christine Fages, ambasadorja gjermane Gesa Braeutigam, ambasadori italian Stephano Baldi , ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Neil Bush dhe ambasadori amerikan Michael Carpenter.
Në kuadër të turneut të tyre rajonal, ata udhëtuan edhe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në vijim do të vizitojnë Serbinë para se të kthehen në Vjenë.
“Ballkani Perëndimor është një rajon jashtëzakonisht i rëndësishëm për OSBE-në dhe për qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne jemi shumë të kënaqur që mund të vizitojmë Kosovën si grup gjatë kësaj vizite, si dhe Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Presim me padurim takimet tona me përfaqësues të qeverisë, parlamentit dhe shoqërisë civile, si dhe të shohim projekte në terren të mbështetura nga OSBE. Ne do të ritheksojmë rëndësinë e vazhdimit të përparimit konkret në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i mbështetur nga të pesë vendet tona, që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe do të diskutojmë se si OSBE-ja mund të mbështesë më së miri zhvillimin demokratik të Kosovës në të gjitha dimensionet e OSBE-së dhe fushat prioritare dhe reformat e sundimit të ligjit.”, kanë deklaruar ambasadorët para nisjes, thuhet në njoftim.