Site icon PrishtinaPress

Ambasadorët e QUINT-it kërkojnë zbatimin e vendimit të Kushtetueses lidhur me kontestin pronësor në Deçan

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë dalur me një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën e krijuar me punimet në rajonin e Deçanit.

Përmes një komunikate të përbashkët për media, ambasadorët kanë bërë të ditur që së bashku me përfaqësues nga BE, KFOR, dhe OSBE, kanë vizituar rajonin e Deçanit në kërkim të fakteve.

Në komunikatë thuhet se ata u takuan ndaras me kryetarin e Komunës Bashkim Ramosaj dhe Atin Sava Janjiq të Manastirit të Deçanit.

“U bëjmë thirrje palëve që në përpikmëri t’i përmbahen ligjeve të Kosovës, në veçanti ligjit të vitit 2008 për Zonat e Mbrojtura Speciale, dhe të ngrisin çdo shqetësim te mbetur brenda kornizave të Këshillit Monitorues për Implementim (KMI), para se të ndërmarrin ndonjë veprim. Për më tepër, i nxisim autoritetet e Kosovës qe të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 19 maj 2016, lidhur me kontestin pronësor në Deçan. Dhe në fund, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë ekspeditive të zgjidhë çështjen e punimeve rrugore në përputhje me këto që u përmenden më lartë”, thuhet në komunikatën e përbashkët të ambasadorëve të QUINT-it.

Gjykata Kushtetuese pati dalë me një vendim për tokën e konstatuar, duke i dhënë të drejtë pronësie Manastirit për më shumë se 24 hektarë.

QUINT-i kërkon që të zbatohet ky vendim, që është refuzuar nga komuna për 4 vjet.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

Exit mobile version