1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Ambasadorët e akredituar në Kosovë shijojnë bukuritë e Valbonës

Ambasadorë të akredituar në Kosovë zhvilluan një vizitë turistike në Tropojë, nën organizimin e Ambasadës së Shqipërisë. Organizmi i vizitës është bërë me qëllim të promovimit të vendeve të bukura turistike të Shqipërisë, ku një prej tyre është Valbona, vend nga i cili diplomatët mbetën të mahnitur dhe vlerësuan se turistët duhet të shohin natyrën fantastike që ofron Shqipëria.

Bukuritë me liqe, lumenj, male e shkëmbinj, ambasadorët i kanë shijuar duke ecur deri të Ujëvara e Valbonës.

Ndërsa përshtypje u lanë numri i madh i vizitorëve, i cili është treguar se ky vend mund të kthehet në një prej qendrave kryesore të turizmit në Ballkan.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se ka shijuar ecjen në Valbonë.

“Ka qenë një kënaqësi absolute të pritesha nga Qeveria e Shqipërisë, me Trupin Diplomatik me qendër në Prishtinë, dhe të vizitoja luginën e Valbonës dhe rajonin e Tropojës. Është thjesht e mahnitshme. Është e bukur. Bukuria natyrore është e pakrahasueshme. Kemi shijuar ecjen dje në Valbonë, dhe tani jemi te hidrocentrali dhe kudo që shohim është thjesht e bukur. Jam shumë i nderuar që jam këtu si mysafir, kam shijuar ushqimin, veçanërisht jam kënaqur me njerëzit, dhe faleminderit shumë Shqipërisë që na priti”, tha ai të hënën, raporton Kp.

Për shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog kjo është hera e parë që e viziton Valbonën.

“Kjo është hera e parë që jam këtu në malet shqiptare dhe jam shumë i impresionuar nga bukuria e natyrës. Unë e vlerësoj shumë ujëvarën që sapo vizituam dhe mendoj se është vërtet e bukur. Fatkeqësisht nuk kam qenë në dijeni më parë për këtë bukuri natyrore këtu, por falë ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, mikut tim Qemajlit, kishim mundësi ta vizitojmë së bashku me miqtë e mi dhe ambasadorë të tjerë, dhe sigurisht që planifikoj ta vizitoj sërish”, tha ai.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl tha se vizitorë të shumtë duhet të shijojnë bukuritë e ujëvarës në Valbonë.

“Është një ditë të bukur këtu në Tropojë, te kjo ujëvarë fantastike, këtu në malin e Valbonës. Është një vend i bukur. Mendoj se shumë turistë duhet të vijnë këtu dhe të shohin natyrën fantastike që ofron Shqipëria, është një vend i bukur. Kështu që ju lutemi ejani ta shihni”, tha ai.

E ambasadorja e Suedisë, Karin Hernmarck tha se kjo vizitë është përvojë e mrekullueshme për të.

“Jam shumë e kënaqur sot që jam në këtë udhëtim që u organizua nga ambasadori Minxhozi në luginën e bukur të Valbonës. E vlerësoj shumë udhëtimin, gjithë miqësinë ndaj mysafirëve, natyrën e bukur. Ka qenë një përvojë e mrekullueshme”, tha ajo.

Pas vizitës në Valbonë, ambasadorët vizituan hidrocentralin e Fierzes, ku u njohën nga afër me historikun e tij.

Ndërsa pas Fierzës, ata vizituan edhe Muzeun historik të Rrethit.

Ambasadorët u shprehën të befasuar me Tropojën për çka thanë se do të promovojnë këto vlera dhe padyshim do të kthehen për vizitë.

Nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi, ambasadorët janë shoqëruar dhe në Fierz dhe Bajram Curr.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img