-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Ambasada amerikane: Koha të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ndër të tjera pati takim me zv.ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve dhe Këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz.

Pas kësaj vizite kanë reaguar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ku kanë kërkuar që të zbatohen të gjitha vendimet e Kushtetueses.

“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë së Kosovës është kruciale për demokracinë. Është koha që të implementohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të plotësohen vendet e lira në Gjykatë”, thuhet në reagim.

Ndryshe, të premten, më 19 nëntor 2021, kryetarja Caka–Nimani u takua në Uashington me Sëartz, ku pasi që i shprehu falënderimin për ndihmën e vazhdueshme që SHBA-të i kanë ofruar Kosovës dhe zhvillimit institucional të saj ndër vite, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, e njoftoi atë përkitazi me të arriturat dhe sfidat në gjyqësinë kushtetuese.

Të dyja palët në vazhdim shkëmbyen pikëpamjet e tyre lidhur me mekanizmat më efektiv për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e konsolidimit të sundimit të së drejtës në çdo vend demokratik.

Gjatë qëndrimit në Uashington, sipas komunikatës për medie, kryetarja Caka – Nimani u takua edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe me përfaqësues të SHBA-ve në Komisionin e Venecias.

Vizitën e saj në SHBA, Caka-Nimani e filloi fillim javën e kaluar me pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “Të drejtat e patjetërsueshme dhe traditat e konstitucionalizmit”, organizuar nga Instituti Kellog për Studime Ndërkombëtare në Universitetin Notre Dame, në të cilën pjesëmarrës ishin gjyqtarë e kryetarë të gjykatave kushtetuese dhe supreme të shteteve anembanë botës, si dhe akademikë dhe ekspertë të shquar ndërkombëtarë në fushën e të drejtave të njeriut.

Duke qenë njëra nga panelistet kryesore në konferencë, kryetarja Caka – Nimani bëri një prezantim të detajuar përkitazi me traditën kushtetuese të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në përputhje me parimet e mishëruara në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Me ftesë të Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit Notre Dame, kryetarja Caka – Nimani gjithashtu mbajti edhe ligjëratë mbi historikun dhe traditën kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img