Julian Alvarez e ka përfunduar transferimin e tij prej 95 milionë eurosh në Atletico Madrid.
Ai kështu u bë shitja rekord e klubit të Manchester Cityt.
24-vjeçari do t’i kushtojë Atelticos fillimisht 75 milionë euro, plus deri në 20 milionë euro në shtesa të arritshme, dhe do të bëhet nënshkrimi i dytë më i shtrenjtë në historinë e tyre pas Joao Felixit.
Alvarez shënoi 36 gola në 103 ndeshje në një qëndrim dy vjeçar te City, duke e mbyllur sezonin e kaluar me 19 gola dhe 13 asistime në 54 paraqitje.
Menaxheri i Cityt Pep Guardiola, tha të premten se do të diskutojnë nëse do të shkojnë në tregun e transferimeve për të provuar të zëvendësojnë argjentinasin, shkruan Onefootball.com.
Alvarez i falënderoi ata duke thënë: “Manchester City do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time. Sot i them lamtumirë këtij klubi të mrekullueshëm, me shumë emocion.Këto kanë qenë dy vite shumë të veçanta. Gjatë kësaj kohe, unë jam rritur dhe kam mësuar shumë – si lojtar dhe si person”.