0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Alpinistët marrin flamurin që shpresojnë ta ngrenë në Everest

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të martën grupin e alpinistëve që në muajt e ardhshëm do të tentojnë pushtimin e majës së Mount Everestit. Presidenti Thaçi ua dorëzoi alpinistëve flamurin e Kosovës dhe u shpreh se beson që ai do të ngrihet pas pushtimit të kësaj maje. E për këtë katër alpinistët nga Prishtina po përgatiten tash e sa kohë.

“Jam i vetëdijshëm për rreziqet që paraqet kjo ekspeditë dhe do t’iu mbështesim në çdo hap. Pushtimi i majave të Everestit dhe ngritja e flamurit të Kosovës nga ju do të jetë një lajm i jashtëzakonshëm për republikën tonë”, ka thënë ndër të tjera presidenti Thaçi.

Grupi që do të tentojë pushtimin e Everestit përbëhet prej katër aplinistëve dhe atij i prin Nazmi Hasanramaj. Ai në këtë rrugëtim do të jetë së bashku me Arineta Mulën, Qëndrim Sopin e Haki Hasanramajn. Udhëheqësi i grupit, Nazmi Hasanramaj, ka thënë se kjo ekspeditë i kushtohet shtetit të Kosovës dhe për porosi ka paqen dhe promovimin e shtetësisë. Në të vërtetë Kosova është shteti i vetëm në Evropë që ende nuk e ka pushtuar majën e Everestit, që konsiderohet si më e larta me lartësi mbidetare prej 8.848 metrave. “Qëllimi final është ngritja e flamurit të Kosovës në Everest”, ka thënë Hasanramaj, pas pranimit të flamurit. “Tash e tre vjet jemi duke u përgatitur. Përgatitjet psikofizike jemi duke i vazhduar intensivisht, ndërsa profesionalisht dhe shpirtërisht jemi përgatitur për të gjitha sfidat, rreziqet dhe sakrificat e mundshme që mund të na presin atje”.

Ekspedita pritet të marrë rrugën për në Nepal në fund të muajit mars, kurse kthimin në Kosovë pritet ta bëjë në muajin qershor. Alpinistët kosovarë do të qëndrojnë atje për më shumë se dy muaj, saktësisht 67 ditë. Gjatë dy muajve do të bëhen përgatitjet në Mount Everest para se të tentohet “sulmi”, siç e quajnë alpinistët në ditët e tjera të mbetura. Mount Everest është maja e rrezikshme dhe jo pak herë alpinistët dështojnë apo edhe pësojnë me jetë.

Megjithatë, alpinistët kosovarë insistojnë se përgatitja, përvoja, përkushtimi dhe fati janë faktorët që e bëjnë të mundur ngjitjen në majën e Mount Everestit. Alpinistët e klubit alpin Prishtina, në kuadër të përgatitjeve për misionin e madh që i pret, në tre vjetët e fundit kanë pushtuar majat e tjera të njohura në Kosovë, rajon, Evropë dhe Afrikë. Kosovarët kanë pushtuar majën më të lartë të Afrikës, Kilimanxharo (5.895 metra lartësi mbidetare), pastaj edhe dy majat më të larta të Evropës, Mont Blanc (4.808 metra) dhe majën e Matterhornit në Alpe (4.478 metra). Të gjitha këto aventura klubit alpin i kanë shërbyer për t’u përgatitur për ngjitjen më të rëndësishme të jetës së tyre, ngjitjen në Mount Everest.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img