Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, e ka quajtur dezinformatë raportimin se ministria që ai drejton ka importuar shtylla prej Serbisë.
Në një shkrim në Facebook, Aliu ka thënë se ministria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të ndërhyjë, apo të monitorojë e të ndalojë kompanitë private për lëndën e parë që ato importojnë.
Sipas tij, ministria mbikëqyr konkursin, projektimin, punimet, cilësinë e realizimit dhe kohën, mirëpo ministria as nuk e përcakton, e as nuk merr raportim e informim se prej nga vjen lënda e parë që e përdorin kompanitë private të kontraktuara.
“Ajo pjesë rregullohet vetëm nga ligjet dhe marrëveshjet në fuqi që tregojnë se cilat importe lejohen e cilat jo”, u shpreh ai.
Tutje tha se ministria përcakton specifikacionet teknike dhe dimensionet, por me ligj e është e ndaluar që të favorizohet një produkt apo një prodhues.
“Sigurisht se ne nuk do të dëshironim që furnizimi për lëndën e parë të bëhej nga Serbia për asnjë produkt, e sidomos nëse mund të sigurohet produkti nga vendet tjera”.
“Prandaj, të gjitha pretendimet që fajësojnë Ministrinë për lëndën e parë që e përdor një kompani private, janë të pavërteta, dhe me tendencë për të dezinformuar dhe mashtruar opinionin publik”, tha në fund Aliu.