Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se Kosova shpesh herë vuan për ujë të pijes, e nganjëherë rrezikohet nga vërshimet si shkak i ndryshimeve klimatike.
Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Ujërave dhe Ditën Ndërkombëtare të Meteorologjisë, Aliu tha se Kosova ka mungesë të ujit dhe ndryshimet klimatike do të kenë ndikime të mëdha në Kosovë. Për këtë, ai kërkoi që të bëhet adaptimi me ndryshimet klimatike.
“Besoj që tashmë kemi shenja të qarta se ndryshimet klimatike ndikojnë në Kosovë. Faktin që ne kemi pak ujë, tregon që nuk do ta kemi lehtë që të përballemi me thatësira që do të ndikohemi nga ndryshimet klimatike. Do të kemi vërshime që nuk e dimë se si do t’i menaxhojmë. Pra në momente të caktuara do të kemi tepër ujë, dhe atëherë kur do të na duhet nuk do të kemi ujë. Prandaj adaptimi në ndryshimet klimatike është një ndër prej problemeve dhe sfidat kryesore që përballet vendi ynë. Jemi shumë të kufizuar sepse nuk njihemi nga Kombet e Bashkuara dhe nuk kemi qasje në fondet për ndryshime klimatike, vendet e tjera kanë qasje në këto fonde dhe ne duhet të përballemi me mjete tona. Po përpiqemi që të bëjmë studime të fizibilitetit jemi duke shkuar mbarë”, tha Aliu.
Alex Albertine, ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit të USAID-it në Kosovë, tha se puna e Institutin Meteorologjik të Kosovës është shumë e rëndësishëm për parashikimet që ajo jep, pasi sipas tij, mund të merren masa që të shpëtohen jetë njerëzish dhe mjedisi.
“Ndryshimi klimatik është një çështje urgjente e planetit tonë, kësisoj na nevojiten veprime të menjëhershme. Ende nuk jemi të përgatitur, këto ndikojnë tekë komunitete dhe duhet të përgatitemi që komunitet të përballen më këtë. Të dhënat na fuqizojnë që të bëjmë vendime duke ruajtur jetën dhe mjedisin”, tha ai.
Afrim Berisha, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit ka thënë se duke marr parasysh se monitorimi dhe të dhënat e sektorit të ujërave, AMMK-ja i ka dhënë prioritet forcimit të monitorimit dhe procesit të mbledhjes së të dhënave nga këto fusha.
“AMMK në kuadër të angazhimeve të saja e bën monitorimin e mjedisit dhe mbledhjen e të dhënave dhe informacionin për vlerësimin e gjendjes së mjedisit për të mbështetur procesin e hartimit të politikave dhe marrjen e masave përkatëse. Pa dyshim se monitorimi dhe të dhënat e sektorit të ujërave, sektorit meteorologjisë dhe klimës, luajnë një rol shumë të rëndësishëm dhe pjesën me të rëndësishme të dhënave mjedisore. Duke ditur këtë fakt, AMMK i ka dhënë prioritet forcimit të monitorimit dhe procesit të mbledhjes së të dhënave nga këto fusha duke ngritur sisteme përkatëse dhe duke forcuar kapacitete profesionale”, ka thënë ai./EO/