Site icon PrishtinaPress

Aliu del në terren pas shpërthimit të gypit në Lepenc, premton rregullim sa më të shpejtë të tij

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Librun Aliu, ka dalë në terren për të përcjellë gjendjen pas shpërthimit të një gypi në lumin Lepenc në fshatin Biti e Poshtme të Shtërpcës.

“Pas pranimit të informacionit prej banorëve të fshatit Biti e Poshtme, Komuna e Shtërpcës, rreth shpërthimit të një gypi në lumin Lepenc nga Hidrocentrali Vinçës, sot, së bashku me Inspektoratin e ministrisë, realizuam një vizitë në vendngjarje, për të inspektuar nga afër gjendjen e krijuar, në mënyrë që të bëjmë sa më parë sanimin e këtij problemi”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Aliu tha se në momentin e inspektimit, nuk kishte rrjedhje të ujit nga gypi, ndërkaq shtoi se operatori është obliguar që në një afat sa më të shpejtë kohor të bëjë sanimin e gjendjes dhe të informojë Inspektoratin e MMPHI-së rreth rregullimit të gypit sipas të gjitha dispozitave ligjore në fuqi.

“Shërbimi në kohë dhe shërbimi transparent si lidhje direkte në mes të banorëve dhe çdo drejtuesi e punonjësi të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duhet të jetë obligim i gjithsecilit prej nesh, e të konkretizohet në shërbim e detyrë që të adresojmë shqetësimin e çdo qytetari pa asnjë dallim”, ka shtuar ai./PrishtinaPress/

Exit mobile version